Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më shumë se dy vjet më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje në vijimësi për ndihmë ushtarake nga SHBA dhe BE. Në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore në Tiranë, Shqipëri, në fund të shkurtit, ai shkoi një hap më tej dhe propozoi prodhimin e përbashkët të armëve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Megjithëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë një prodhim të konsiderueshëm të armëve të mëdha, ato kanë fabrika të shumta municioni dhe municioni është ajo për të cilën është e interesuar Ukraina.

Pjesa më e madhe e prodhimit të armëve në rajon është e përqendruar në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi, me disa kompani që prodhojnë municione në një gamë të gjerë kalibrash dhe për lloje të ndryshme armësh, duke përfshirë sistemet e artilerisë dhe mortajat. Raporti i fundit i Organizatës së Evropës Juglindore dhe Lindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta thotë se Serbia është eksportuesi kryesor i armëve dhe municioneve në rajon, me 65.79% të totalit të eksporteve, me fitim prej rreth 1.2 miliardë euro. Ajo pasohet nga BiH, e cila zotëron 31.75% të eksporteve totale të rajonit.

Sipas të dhënave të siguruara nga vetë vendet e Ballkanit, Shqipëria eksporton municion, BiH dhe Mali i Zi eksportojnë armë të kalibrit 12.7 mm dhe armë automatike, municione, bomba dhe raketa. Maqedonia e Veriut eksporton kryesisht municion dhe bomba, ndërsa Serbia eksporton një gamë më të gjerë municionesh dhe armësh, duke përfshirë bomba, predha, silurë, mina, raketa dhe municione të ngjashme të luftës. Edhe pse presidenti serb Aleksandar Vuçiç e përshëndeti ngrohtësisht Presidentin Zelenski në samitin në Tiranë, ai nuk bëri një deklaratë zyrtare për kërkesën e tij për prodhimin e përbashkët të armëve.

Deklarata e vetme në këtë drejtim është bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili u tha gazetarëve se presidenti Zelenski “foli për mundësinë e bashkëpunimit, që do të thotë investim, prodhim dhe bashkëpunim dhe sigurisht të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria”.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar shumë foto që tregojnë municione serbe të prodhuara së fundmi duke u përdorur nga trupat ukrainase. Megjithatë, Qeveria e Serbisë e percepton këtë si një çështje të ndjeshme në arenën e brendshme politike dhe ndoshta nuk do të mbështesë publikisht eksporte të tilla.

Sipas saj, vitin e kaluar kur u zbuluan dokumentet amerikane se Serbia ishte e gatshme të eksportonte armë në Ukrainë ose se tashmë po e bënte këtë Presidenti i Serbisë urdhëroi një pezullim të përkohshëm të të gjitha eksporteve të municioneve, zyrtarisht, me qëllim për të dhënë prioritet furnizimin e Forcave të Armatosura Serbe, por me shumë gjasa për të kufizuar dëmin.

Duke gjykuar nga deklaratat e tij të fundit, argumenti “nuk mund të eksportojmë municion sepse na duhen”, është ende duke u përdorur, por kjo nuk do të thotë se municionet e prodhimit serb nuk do të gjejnë rrugën për në Ukrainë. Ekspertët e shohin rikthimin në funksionim të Bazës Ajrore të Kuçovës në Shqipëri si një shembull të përsosur të asaj që mund të bëhet.

Me investimet në vijim ish objektet e prodhimit të municioneve dhe bazat ushtarake në Shqipëri mund të modernizohen dhe të kthehen në funksionalitet të plotë në një periudhë të shkurtër kohore. Para viteve 1990, këto qendra prodhonin municione mortajash, kallashnikov, Makarov, pistoleta Parabellum, pushkë Simonov, granata sulmuese dhe mina kundër personit. Disa vende evropiane janë në gjendje të ndihmojnë Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor që të prodhojnë armë bashkarisht.

Qeveria gjermane ka treguar interes për financimin e prokurimit të municioneve për Ukrainën nga vende jo anëtare të BE-së. Franca ka treguar gjithashtu se do të ishte e hapur për blerjen e municioneve për Ukrainën që nuk prodhohen në BE.

Duke pasur parasysh se Berlini dhe Parisi janë gjithashtu të përfshirë, përdorimi i fondeve të BE-së duket më i mundshëm. Kjo lloj nisme nuk mund të realizohet pa mbështetjen e aleatëve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE. Kjo nuk është për shkak se aleatët nuk janë në gjendje të prodhojnë vetë municione dhe pajisje luftarake, por mbështetja e tyre për krijimin e një ideje të tillë në Ballkanin Perëndimor do të ulte ndjeshëm kostot e prodhimit të këtij municioni dhe pajisjeve ushtarake.

Klan News