Fustan të zi dhe pa unazë, Inida Gjata tregon detajet e dasmës aspak tradicionale




Fustan të zi dhe pa unazë, Inida Gjata tregon detajet e dasmës aspak tradicionale

20:05 15/06/2021

Historia e dashurisë midis Inida Gjatës dhe bashkëshortit të saj, Christian Kreuz, është tejet e veçantë. Dikur, Inida prezantonte këngët e tij në radio, pa e ditur që pas 10 vitesh, këngëtari që asaj i pëlqente aq shumë, do të bëhej një ditë shoku i saj i jetës prej një takimi krejtësisht të rastësishëm në një bar të Tiranës.

Ata kaluan disa ditë shumë të bukura së bashku që më pas nisi një histori dashurie në distancë, derisa në vitin 2011 Christian u rikthye në Shqipëri për të qëndruar për dy vite, gjatë të cilave ata krijuan edhe këngë së bashku.

Në vitin 2013, të dy i drejtohen Gjermanisë ku kryen një celebrim të shpejtë pa ceremoni për shkak të dokumentacionit që nevojitej të plotësohej sa më shpejt për Inidën. Ajo nuk ishte aspak një nuse tradicionale sic nuk ka qenë kurrë një personazh i zakonshëm, në ditën e rëndësishme veshi fustanin e vetëm që kishte me vete, i cili ishte në ngjyrë të zezë. Të pranishme ishin vetëm mamaja dhe motra e Christian-it, ndërsa ajo kishte harruar të merrte edhe një buqetë lulesh.

Një detaj tjetër që zbuluan, ishte se asnjëri nuk ka një unazë martese, por në vend të saj krijuan një këngë, “Shpirt”, që për ta është edhe unaza e martesës.

Inida Gjata: Pastaj shkuam në Gjermani, u martuam pa asnjë lloj ceremonie, ishim vetëm ne të dy dhe mamaja e motra e Christian-it.

Rudina Magjistari: Ishte një zgjedhje e juaja kjo, nuk deshët një ceremoni?

Inida Gjata: Ishte më shumë e ardhur nga rrethanat sepse duhet ta bënim shumë shpejt celebrimin për çështjen e dokumentacionit, për çështjen e lejeqëndrimit tim. Për më tepër, babi sapo ishte sëmurur, i kishte rënë paraliza, njerëzit ishin larg, të zënë, kishim humbur në familjen tonë shumë njerëz njëri pas tjetrit dhe nuk ishte një atmosferë për të bërë dasmë e për të festuar, kështu që e lamë ashtu. Bëmë celebrimin në bashki dhe bëmë një këngë atë natë.

Rudina Magjistari: Ama rrethanat përcaktuan mënyrën si u bë dasma, por ngjyrën e fustanit nuk e përcaktuan rrethanat, pse zgjodhe këtë ngjyrë?

Inida Gjata: Këtë fustanin kisha, e kam qepur në Shqipëri, e kisha shumë qejf se e kisha bërë vetë.

Christian Kreuz: Donte diçka ndryshe, mua më pëlqen shumë ky fustan.

Rudina Magjistari: Dukeni bukur të dy shumë.

Inida Gjata: Faleminderit shumë, edhe mua më pëlqen shumë kjo fotoja. Ishim mirë kështu rehat, të dy të vegjël.

Rudina Magjistari: Prapë doje të ishe ndryshe në ditën tënde të dasmës?

Inida Gjata: Mendova se s’kisha pse të ishte i bardhë, ne kishim kaq shumë vite që ishim bashkë. Salltanet kot më kot, ne shkuam me tren, madje unë s’kisha as buqetë me lule, ma kishte dhënë mamaja e Christian-it, ishte kujdesur që unë të kisha buqetë me lule, kishte bërë një tortë e shkreta. As unazë, asgjë s’kemi akoma. Kemi bërë një këngë, që quhet “Shpirt”, që do ta këndojmë te “Reja” dhe atë këngë e kemi bërë ditën e dasmës, kastile si unazë se jemi të dy tipa që duam t’i heqim, t’i ndërrojmë, t’i vëmë (unazat). Na bezdis uniformiteti, nuk jemi njerëz uniform, nuk na dukej kjo gjë shumë e rëndësishme. “Hajt se e blejmë”, iku, u harrua. Atëherë, s’kishim as para, blemë një shishe “Prosecco” në supermarket, bëmë këngën, kështu iku nata e parë e dasmës./tvklan.al





Të ngjashme