Apple ka publikuar një përditësim të çuditshëm të sistemit të saj operativ iOS, pak javë përpara prezantimit të iPhone 11.

Përditësimi i pazakontë mund të sugjerojë se sistemi operativ për telefonin e ri nuk është ende gati dhe do të vijë me disa mangësi të rëndësishme për përdoruesit.

iOS 13 pritet që të prezantohet në Shtator, sëbashku me telefonat e rinj, por do të jetë i mundur të përdoret edhe nga ata që kanë modele më të vjetra të iPhone.

Zakonisht Apple punon gjatë verës për prezantimin e radhës të produkteve të reja, që do të thotë se është gati për në Shtator, kur kompania mban edhe konferencën e përvitshme të prezantimit të risive teknologjike.

Por këtë herë, Apple ia dha iOS 13.1 zhvilluesve, duke i ofruar atyre opsionin që të merrnin aplikacionet gati për sofware-in e ri. Megjithatë ka diçka të pa precedentë në këtë vendim: iOS 13 nuk ka përfunduar ende, e jo më t’i prezantohet publikut.

Siç shkruan e përditshmja The Independent, publikimi fillimisht u mendua se ishte gabim dhe disa sugjeruan se Apple e kishte emëruar gabimisht versionin e fundit të iOS 13. Por u bë e qartë se ishte e qëllimshme dhe Apple po planifikonte që të lejonte zhvilluesit që të punonin me iOS 13.1, përpara se iOS 13 të vinte.

Kjo bëri që të lindin spekulimet se Apple do të hiqte dorë nga iOS 13, prezantimi i sistemit më të madh të vitit për kompaninë. Dhe shumë ekspertë po sugjerojnë se iOS 13 mund të mos jetë plotësisht gati për publikun, duke detyruar kështu Apple që të ndryshojë datën e hedhjes në treg.

Kjo do të thotë se Apple do të heqë disa prej risive nga iOS 13 kur të vijë në Shtator dhe tek telefonat e rinj. Ato mund të shtohen sërish në një fazë të mëvonshme, kur të kenë përfunduar dhe iOS 13.1 të jetë gati për përdoruesit.

Nëse kjo ndodh, presupozohet që Apple duhet të pranojë se iOS 13 nuk ishte përfunduar dhe përdoruesit do të duhet të presin për një përditësim të mëvonshëm të sistemit operativ.

Më herët, disa testues të versioneve të para të iOS 13 vunë në dukje se software-i kishte probleme dhe paralajmëruan se mund të mos jetë gati në kohë.

Kjo do të shpjegonte përse Apple mund të jetë e detyruar që thjeshtë të pranojë humbjen në tentativën për të sjellë në kohë përditësimet e paralajmëruara./tvklan.al