Pesë skuadra tentojnë titullin, Kukësi zyrtarisht në krizë 

Java e 26-të e Kategorisë Superiore ka prodhuar rezultate tepër interesante. Plot 11 gola u shënuan në 5 takimet e zhvilluara në fundjavë, me një mesatare prej 2.2 golash për ndeshje.

Sfida që dhuroi më shumë gola ishte padyshim ajo e luajtur në kryeqytet, mes Tiranës dhe Apolonisë, e mbyllur me shifrat 5-2. Fitore mjaft e rëndësishme për kampionët, që futen totalisht në garën për titull.

Bardheblutë gjenden në vendin e 5-të me 41 pikë, i distancuar me 5 pikë nga Teuta kryesuese. Durrsakët morën fitoren më të rëndësishme 1-0 ndaj Laçit dhe pas 26 javësh e shikojnë veten në udhëheqje të kampionatit.

Surprizë ishte padiskutim humbja e Kukësit 0-1 përballë Skënderbeut. Verilindorët futen totalisht në krizë, ndërsa korçarët marrin pikë që në fund të sezonit mund të përkthehen në mbijetesë. Në barazim përfunduan 2 duelet e tjera, Bylis-Kastrioti dhe Vllaznia-Partizani, respektivisht 1-1 dhe 0-0.

Klan News