Opinion-Pastrimi etnik në Çamëri filloi që në vitin 1912, kur kjo krahinë mbeti jashtë territorit të Shqipërisë dhe u shoqërua me vrasje masive të grupit etnik shqiptar në Greqi. Pjesa më e madhe e popullatës u ndërrua, sidomos ajo myslimane me dekrete të posaçme sipas marrëveshjes mes shtetit grek dhe atij turk u transferua në Turqi.

Për një periudhë të gjatë kohe, edhe në vitet e mbretërisë në Shqipëri ka pasur përzënie të shqiptarëve, por jo masive. Përzëniet masive nisën në Qershor të vitit 1944, me hyrjen në këtë territor të forcave të gjeneralit Zerva. Ushtarët e Zervës rrënonin gjithçka që gjenin përpara, vranë burra, gra, fëmijë dhe rrafshuan qindra fshatra. Kulmi i masakrave greke ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë arriti më 8 Korrik 1944.

Sipas të dhënave të misionit anglez në ndihmë të Zervës, rreth 2970 perona u vranë, qindra gra u përdhunuan në kampet famëkeqe greke në kufi me Shqipërinë dhe pjesa që mbeti u përzu drejt Shqipërisë. 2 430 njerëz vdiqën rrugës dhe pothuajse 30 000 çamë mbërritën të dërrmuar në Shqipëri. Drejtues të këtij misioni kanë pranuar në ditët e fundit të jetës në librat me kujtime, masakrat në kurriz të shqiptarëve. Indiferenca dhe moskokëçarja e autoriteteve shqiptare për dhjetëra vite ka bërë që masakra ndaj Çamërisë të kujtohet heshtas.

Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 29 Qershor 2012, ka pasur në qendër pikërisht temën e genocidit ndaj çamëve.

“Kam qenë fëmijë i vogël dhe nuk mund të harroj ato që kam parë. Genocidi zgjati më shumë se një vit. Filluan vrasjet në qytet dhe lajmi u përhap shumë shpejt. Nëna ime më çoi tek halla dhe më tha ta pyesja se si do vepronim. Rrugës pashë policinë në një ndërtesë. I rashë nga pas shtëpisë, aty dëgjoheshin ulërima. Kishte vajza të reja dhe gra shtatzëna. Ndërkohë që shihja nga xhami një burrë më mjekër del në dritare dhe hedh një fëmijë që sapo kishte lindur. I tmerruar kthehem tek nëna dhe nisemi. Rrugës kemi parë koka të prera dhe njerëz që i merrnin nga turma dhe i prisnin kokën përpara nesh. Më kujtohet si tani një grua shtatzënë, nuk e kisha më larg se 10 metra, e kapën, ia çanë barkun, i nxorën fëmijën dhe ia përplasën përtokë. Më pas ia shkelën me këmbë dhe ajo ulërinte e llahtarisur me zorrët jashtë. Tmerr i madh. Arritëm në Shqipëri dhe për 6 vite pasi jam kthyer ulërija natën në gjumë”, tregoi Qani Biraci.

“Ishim në gjumë duke fjetur dhe na ngritën nga gjumi që të arratiseshim. Erdhi ushtria dhe dajës tim i prenë kokën dhe ia hodhën përpara fëmijëve. Por masakra të tilla kanë bërë shumë. Kudo që kaloje nuk kishte vend pa kufoma. Na mblodhën ne, të cilët ishim kalamaj dhe varrosëm disa kufoma. Më del gjumi në mes të natës, edhe tani nga ato që kam parë. Nuk kishte një njeri që mund të identifikohej, kishin koka të prera, veshë dhe hundë të hequra. Të gjitha këto i kam parë me sy, por se cilët ishin nuk njiheshin. Kur i kujtoj i vuaj me shpirtin tim”,tha një tjetër dëshmitar./ tvklan.al