Viti 2020 nuk ishte aq produktiv sa i përket projekteve kinematografike, megjithatë periudha festive ka rezervuar disa filma të rinj.

E kemi parë gjithmonë në rolin e aktorit tepër joshës, por tanimë George Clooney ka sjellë edhe filmin e tij më të ri.

“The Midnight Sky”, një film për gjithësinë, ngjarja e të cilit zë vend në një botë pas apokalipsit, ku Clooney ka rolin e protagonistit dhe regjisorit gjithashtu.

Së fundmi kompania Netflix, e cila e ka realizuar filmin, ka publikuar edhe trailerin.

Clooney portretizon një shkencëtar të vetmuar që punon në Arktik, i cili e ka për detyrë ta parandalojë një ekip astronautësh të kthehen në Tokë.

Ata zbulojnë ekzistencën e një Hëne e cila rrotullohet rreth Jupiterit dhe paraqet kushtet ideale për të pritur qeniet njerëzore.

Ndërkohë, një katastrofë ka goditur Tokën, duke e çuar njerëzimin drejt zhdukjes. Të mbijetuarit e vetëm janë Augustini, i interpretuar nga Clooney dhe një vajzë e vogël, Iris.

Në film gjithashtu luajnë aktorët Felicity Jones, David Oyelowo, Tiffany Boone, Demián Bichir, Kyle Chandler dhe Caoilinn Springall. “The Midnight Sky” do të shfaqet në platformën Netflix në 23 Dhjetor të këtij viti.

Filmi i fundit Clooney si aktor ishte “Money Monster”, që daton në 2016-tën, ndërsa një vit më vonë, ai ishte regjisor në filmin “Suburbicon”.

Klan Plus