Gjenden dy pistoleta në Tiranë


Gjenden dy pistoleta në Tiranë

14:15 27/06/2020

Dyshohet se u përdorën në atentatin në Laç

Dy pistoleta që u gjeten rastësisht në një pusetë në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë dyshohet se u përdorën për atentatin në Laç nga Eduart Lamaj dhe bashkëpunëtorët e tij.

Armët u gjetën nga punëtorët e pastrimit të Bashkisë së Tiranës, të cilët njoftuan menjëherë policinë.

Policët kanë menduar se armët kanë lidhje me ngjarjen në Laç, pasi aty pranë është klinika private ‘Ama Vita’, aty ku u mjekua edhe Eduart Lamaj pasi u plagos gjatë atentatit.

Dyshimet janë se, armët u fshehën nga Lamaj para se ky të shtrohej në klinikë për t’u operuar. Pistoletat janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore për analizim të gjurmëve të tyre.

Eduart Lamaj mbeti i plagosur nga atentati i 30 Majit në Laç, dhe disa ditë pas ngjarjes ka shkuar për t’u mjekuar te spitali privat ilegalisht. Dy ditë më parë, gjykata e Kurbinit i ka komunikuar masën e sigurisë arrest me burg në ambientet e spitalit.

30-vjeçari ka pranuar vrasjen e dyfishtë, madje ka treguar edhe emrat e bashkëpunëtoreve. Për këtë ngjarje qëndrojnë në burg edhe dy mjekët, Viktor Marku dhe Besim Lama pasi akuzohen për moskallëzim krimi dhe pengim të zbardhjes së vërtetës.

Ndërkohë që në kërkim për atentatin janë 33-vjeçari Ilir Xhepaj, emër i njohur për drejtësinë, 31-vjeçari Elson Alija dhe 21-vjeçari Klaudio Perkola.

Tv Klan




Të ngjashme