“Stop” këtë të premte ka udhëtuar drejt qytetit të Bilishtit. Një qytetar është ankuar për një gjobë të padrejtë nga Policia e Shtetit, i cili kishte një mjet të vendosur me gjysmën e gomës së parë mbi trotuar.

Ndërkohë që punonjësit e policisë i kanë vënë gjobën, shoferi ka qenë brenda në makinë dhe makina ka qenë e ndezur dhe me bllokazh.

Gazetarja: Brenda rregullave është kjo?

Polici: Brenda rregullave!

Gazetarja: Sipas cilit rregull? Kush e parashikon, kur shoferi është në makinë? Nuk i thua dot lëviz? Zotëri, me ju po flas!

Polici: Le ta marri gjobën dhe ta kundërshtojë!

Gazetarja: Jo, ma thuaj pak, sipas cilit rregull po ia vendos gjobën!

Polici: Sipas nenit të kodit rrugor!

Gazetarja: Që thotë?

Polici: Kur mjeti parkohet gabim.

Gazetarja: Parkohet! Zotëria është në makinë. Ku parashikohet, që makina është e parkuar. A ishte e ndezur? A ishe në makinë? (duke iu drejtuar qytetarit)

Qytetari: Po, dhe rripin pa hequr fare.

Gazetarja: Po mëson dorën ë?

Ndërkohë proces-verbali është plotësuar pa emrin dhe mbiemrin e zotërisë, pra është shënuar jo prezent, ky i fundit ka qenë në makinë me automjet të ndezur. Por nga pamjet filmike që ka siguruar qytetari vërtetohet që ai ka qenë në makinë në momentin e gjobës.  Policët thonë, se gjoba mund të ankimohet, por ata nuk kanë ndërmend ta heqin.

Gazetarja: Jo prezent? Zotërinë e kishe prezent. Pse e ke shkruar jo prezent?

Polici: Në momentin, që isha unë tek makina?

Gazetarja: Po! A ishte zotëria aty?

Polici: Fol me zotërinë!

Gazetarja: Të paktën thuaji kolegut, ose kush të mësojë, që të të mësojë më mirë, sepse zotërinë e kishe në makinë dhe të paktën t’i thuhej, si e ke emër, mbiemër, patentë, leje qarkullimi, sepse e ke bërë jo prezent dhe lejen e drejtimit e ke lënë me vijë, apo jo?

Polici 2: Ne e bëmë atë punë, për ta ndihmuar zotërinë, që mos t’i dali gjoba në patentë.

Gazetarja: Po s’kishe pse ia vendosje fare gjobën!

Polici 2: Ishte në shkelje.

Gazetarja: Ishte në shkelje, kur ishte prezent?

Polici 2:  Tashi, të lutem shumë!

Gazetarja: Je në shkelje, lëviz! Sepse, kur është në makinë, i thuhet ke kaq kohë për të lëvizur, jo i vendoset gjoba në momentin, që është, sepse je gabim. Të paktën këtë t’jua mësojnë mirë!

Nga ana tjetër, eksperti rrugor Gëzim Hoxha thotë, se ky veprim nuk është i drejtë, pasi policia është për të ndihmuar qytetarët dhe për të rregulluar qarkullimin e makinave. Për pjesën e gjobës, ai e quan tendencioze./tvklan.al