Gjobë pas ditëlindjes së Bes Kallakut, pezullohen 6 policë



Gjobë pas ditëlindjes së Bes Kallakut, pezullohen 6 policë

14:04 22/11/2020

Mes pjesëmarrësve në festë, Meta dhe shumë personazhe të showbiz-it shqiptar

Aktori i humorit, Besart Kallaku, do të gjobitet nga policia pasi organizoi ceremoni për ditëlindjen ndërkohë që në fuqi janë masat antiCovid ku nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 10 personave në ambiente të hapura apo të mbyllura.

Policia thotë se ka identifikuar të gjithë personat që kanë qenë pjesëmarrës në ceremoni nëpërmjet pamjeve filmike dhe të gjithë ata, 30 vetë, do të ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese antiCovid.

Gjobë prej 1.000.000 lekësh ka marrë edhe pronari i lokalit.

Në lidhje me këtë ngjarje janë pezulluar nga detyra 6 punonjës të policisë për moskryerje të kontrollit të territorit. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecuri disiplinore për shkelje të rëndë ndaj tyre.

Festa për ditëlindjen e Bes Kallakut u zhvillua në një lokal në Laknas të Kamzës. Pjesëmarrës në këtë festë ka qenë edhe Presidenti Ilir Meta që ka shpërndarë një foto me humoristin, por edhe shumë personazhe të tjerë të showbiz-it shqiptar.

Në festë ka qenë e pranishme edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi./tvklan.al






Të ngjashme