Gjykata e Lartë e OKB-së ka urdhëruar Izraelin që të lejojë ndihmat në Gaza për të shmangur zinë e bukës. Në një vendim unanim, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se Izraeli duhet të veprojë pa vonesë për të lejuar sigurimin e shërbimeve bazë të nevojshme në mënyrë urgjente dhe ndihmës humanitare. Kjo ka ardhur pas paralajmërimeve të shumta se zia e bukës mund të godasë banorët e Hazës brenda javësh.

Nga ana tjetër, Izraeli i ka quajtur krejtësisht të pabaza akuzat se po bllokon ndihmat në Gaza. Në përgjigje të urdhrit të gjykatës, ministria e jashtme izraelite tha se po vazhdonte të promovonte iniciativa të reja dhe të zgjeronte ato ekzistuese për të lejuar rrjedhën e vazhdueshme të ndihmës në Gaza nga toka, ajri dhe deti duke punuar me OKB-në dhe shtetet e tjera. Izraeli bën fajtor Hamasin për situatën në Gaza dhe për fillimin e luftës.

Vendimi i fundit i gjykatës në Hagë vjen pasi Afrika e Jugut i kërkoi asaj të forconte një urdhër të lëshuar për Izraelin në Janar për të marrë të gjitha masat për të parandaluar aktet gjenocidale në Gaza. Megjithëse urdhrat e lëshuar nga Gjykata e Lartë e OKB-së janë ligjërisht të detyrueshme, gjykatës i mungon kompetenca për t’i zbatuar ato./tvklan.al