Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e shumicës parlamentare që vendosi të mos e çojë në këtë gjykatë kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të Deputetit socialist Koço Kokëdhima.

Me vendimin numër 48/2015, në seancën e 16 prillit të vitit të shkuar, Kuvendi nuk pranoi kërkesën e bërë nga një grup deputetësh të opozitës me argumentin se nuk përmbusheshin kushtet për të dëguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e tyre. Por me, vendimin e zbardhur këtë të mërkurë, Gjykata Kushtetuese thotë se Kuvendi është i detyruar të dërgojë çështje të tilla në këtë gjykatë pasi është ai organi i vetëm që shqyrton çështjet me themel.

“Në rast se Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje me mocion të kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, në kuptim të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit”

– thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur konstatimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të marrë nga Kuvendit. Tashmë Kuvendi është i detyruar t’i drejtohet Gjykatës për të marrë një vendim për mandatin e Kokëdhimës.

Partia Demokratike e akuzon Deputetin Koço Kokëdhima për përfitim të fondeve publike në të paktën 150 raste, me anë të kompanisë “Abissnet” edhe pasi ai ishte bërë deputet.

Kokëdhima i ka hedhur poshtë akuzat duke thënë kompania “Abissnet” nuk kishte nënshkruar asnjë kontratë me institucionet shtetërore pas marrjes nga ana e tij të mandatit të deputetit. Kokëdhima i ka shitur aksionet e kësaj kompanie në Shkurt të vitit 2014.

Tv Klan