Vendimi i Gjykatës Supreme vjen pas të ‘Super Martës’ ku 16 shtete do të organizojnë zgjedhjet paraprake

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka hedhur poshtë kërkesën e Kolorados për t’i  ndaluar ish-presidentit, Donald Trump të garojë në primaret e këtij shteti.

Ky shtet kishte kërkuar heqjen e emrit të tij nga fleta e votimit për shkak të rolit që ai luajti në trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

Vendimi është një fitore masive për Trump, i cili përballet edhe me çështje të tjera ligjore.

“Fitore e madhe për Amerikën”, shkroi ish-Kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin e tij social duke përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme e cila thotë se pushtetin për heqjen e emrit të një kandidati nga fleta e votimit e ka Kongresi dhe jo shtetet.

Të gjithë nëntë gjykatësit votuan në favor të Trumpit dhe vendimi i tyre u jep fund pothuajse të gjitha përpjekjeve për t’ia ndaluar Trumpit garimin në zgjedhjet primare në shtetet e tjera.

Vendimi i Gjykatës Supreme vjen një ditë përpara Super Martës, dita kur 16 shtete amerikane do të organizojnë njëkohësisht votimet për zgjedhjet paraprake brenda partive.

Ky është një moment kyç për Presidentin Joe Biden dhe ish-Presidentin Donald Trump, të cilët janë kandidatët kryesorë për president respektivisht në Partinë Demokrate dhe Partinë Republikane.

Rezultatet e mira gjatë votimeve të së ashtuquajturës Super e Marta, do të forconin më tej pozitat e tyre.

Pavarësisht fitores së kundërshtares së tij politike Nikki Haley në Uashington, ish-presidenti vazhdon të mbizotërojë garën dhe pritet të mposhtë kundërshtaren e tij të vetme të mbetur në garë.

Klan News