Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 38 dëshmitarë në Gjyqin ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në listën e personave që Prokuroria kërkon të japin shpjegime para Gjykatës janë dy ish – ministrat Saimir Tahiri dhe Lindita Nikolla.

Gjithashtu kërkohet marrja e dëshmisë së Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe ish – numrit 1 të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Dy profesorët Mynyr Koni dhe Dhori Kule, të cilët dyshohet se janë kërcënuar nga Shullazi dhe grupi i tij do të dëshmojnë në këtë proces.

Për Prokurorinë në interes të gjyqit është edhe dëshmia e tre biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku. Në datën 6 Qershor pritet që gjykata të vendosë nëse do ta pranojë të plotë listën e paraqitur nga akuza.

Sipas hetimeve, këta biznesmenë janë kërcënuar dhe u është vendosur gjobë nga 5 të pandehurit. Prokuroria në seancën e kësaj të marte lexoi kërkesën për gjykim për Emiljano Shullazin, Blerim Shullazin, Endri Qyqjan, Endri Zelën dhe Gilmando Danin. Ata akuzohen për grup të strukturuar kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës.

Tv Klan