Një grabitje me armë ka ndodhur në një fshat të Tiranës mesnatën mes të enjtes dhe të premtes. Burime nga policia thonë për tvklan.al se 3 persona të armatosur hynë me forcë në një banesë në fshatin Qinam.

Mësohet se autorët, nën kërcënimin e armëve, grabitën një shumë parash. Në momentin e grabitjes, brenda banesës ndodheshin edhe familjarët.

Burimet policore thonë se këta të fundit u lidhën me litar nga 3 grabitësit. Pasi morën paratë, autorët u larguan në drejtim të paditur.

Për fat të mirë, familjarët nuk kanë pësuar lëndime. E paqartë mbetet edhe shuma e parave të grabitura.

Në vendngjarje shkuan forcat policore, të cilat kanë nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorët e ngjarjes. /tvklan.al