Çfarë duhet të dini për të udhëtuar

Greqia dhe Gjermania vendosin hapjen e kufijve për turistët nga Shqipëria. Vendimi erdhi pasi Këshilli Europian publikoi këtë të Premte listën e vendeve jo-anëtare ku bën pjesë edhe Shqipëria, prej nga u rekomandohet shteteve të unionit të lejojnë hyrjen e udhëtarëve për qëllime jo-thelbësore.

Sipas të përditshmes greke Kathimerini, Ministria e Turizmit miratoi ndryshimet në rregulloren për hyrjen e turistëve të nga vendet jo anëtare të përfshira në listën e gjelbër të Bashkimit Europian për pandeminë.

Ndryshimet parashikojnë që veç të vaksinuarve me dozat e vaksinave të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave, në Greqi lejohet hyrja edhe me paraqitjen e rezultateve negative të testit të shpejtë anti-Covid të kryer deri 72 orë para udhëtimit, test PCR, ose certifikatë së diagnozës pozitive e vlefshme për 2 deri në 9 muaj. Rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi më 19 Qershor.

Ndërsa kufijtë gjermanë për turistët nga Shqipëria hapen prej 20 Qershorit, siç informon Ambasada e Gjermanisë në Tiranë. Në faqen online të kësaj ambasade shkruhet tekstualisht se “për hyrjen përmes rrugëve ajrore kërkohet një test-COVID, një dëshmi që e ka kaluar ose është vaksinuar plotësisht”.

Autoritetet gjermane ashtu si ato greke njohin vetëm 4 vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave EMA. Nga këto vaksina, në Shqipëria janë përdorur vetëm 2 prej tyre, Pfizer dhe AstraZeneca.

Nga vendet europiane, hapjen e kufijve për turistët shqiptarë e kanë njoftuar më herët edhe Spanja, Franca dhe Hungaria.

Tv Klan