Aktivistja e klimës Greta Thunberg thotë se bota duhet të mësojë nga pandemia e koronavirusit dhe të marrë masa edhe për ngrohjen globale, njësoj sikurse veproi për Covid-19.

Në një intervistë për BBC, aktivistja suedeze kërkon nga liderët botërorë që të veprojnë me urgjencë dhe të marrin masa edhe për ngrohjen globale.

Ajo thotë se aktualisht bota është duke u përballur me fenomene sociale, siç janë klima por edhe protestat që kanë përfshirë disa shtete kundër racizmit.

“Njerëzit kanë filluar të kuptojnë se nuk mund t’i anashkalojmë këto gjëra”, thotë Greta.

Ajo shprehet se për të ulur nivelin e emetimit të gazrave duhet të bëhen ndryshime thelbësore në stilin e jetesës. Dhe kjo duhet të fillojë nga vendet më të zhvilluara, por aktivistja shton se asnjë lider nuk ka ambicien për ta bërë një gjë të tillë.

Duke folur për pandeminë, Greta Thunberg shprehet se e vetmja gjë e mirë që mund të dalë nga koronavirusi, është mënyra se si shtetet e trajtuan këtë krizë.

“Kjo tregon se në një situatë krize, ju veproni me të gjithë focën e nevojshme”.

Aktivistja suedeze u bë e njohur ndërkombëtarisht në moshën 16-vjeçare, pasi lundroi përtej Atlantikut me një anije me vela dhe mbërriti në SHBA ku mbajti një fjalim në OKB për ndryshimet klimatike, duke akuzuar liderët botërorë se “i kanë vjedhur ëndrrat” me fjalimet e tyre boshe. /tvklan.al