“Nuk donte t’ia dinte ku do shkoja unë me fëmijët”

Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e nënës së tre fëmijëve. Ajo në studio rrëfeu dhunën e vazhdueshme të ushtruar nga ana e bashkëshortit, për 33 vite me rradhë.

Bashkëshorti i saj pinte dhe si pasojë ushtronte dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve.

Situata u bë e papërballueshme dhe gruaja vendosi të kërkonte prej tij divoricin. Pavarësisht se u ndanë, ata jetonin në të njëjtën shtëpi, në dhoma të ndara. Edhe pas ndarjes, bashkëshorti vazhdonte t’i dhunonte dhe donte t’i nxirrte nga shtëpia.

Për këtë arsye kërkoi nga gjykata urdhër mbrojtje, me shkakun se gruaja dhe fëmijët ishin ata që e dhunonin.

Mirela Milori: Është një histori e një dhune ekstreme! Ke bërë divorc me të?

Gruaja: Në 2015 u detyruam, thashë mos ndoshta kushedi do vemë në gjykatë dhe do mbledhë mendjen që të shkatërrojë një familje të shkëlqyer. 3 fëmijë të mrekullueshëm, nuk i sollën asnjë shqetësim, gruan për shtëpi, të larë, të hekurosur, e nisja si mos më mirë.

Mirela Milori: E kuptoj që e ke patur shumë të vështirë, e ke dashur, ke tejkaluar gjithçka për atë njeri!

Gruaja: Shumë!

Mirela Milori: Si e priti ai vetë që po e ndaje?

Gruaja: Ai me sa më tha mua kishte vajtur në fshat dhe kur i kishte vajtur fleta e gjyqit ishte bërë shumë keq. Kishte vajtur në shtëpinë e të ëmës dhe kishte rënë përmbys, se po shkatërronte një familje të shkëlqyer, por s’ia pati fajin njeri.

Mirela Milori: Çfarë u vendos në gjykatë?

Gruaja: U vendos vetëm zgjidhja e martesës, pastaj filloi agresiviteti më shumë. Shpeshherë vinim në polici.

Mirela Milori:  Zgjidhje martese dhe ai jetonte aty me ju apo jo?

Gruaja: Po, po!

Mirela Milori: Po në dhomë më vete, si u konceptua ndarja?

Gruaja: Po në dhomë më vete, unë në dhomë më vete me fëmijët. Vinim në gjykatë, sa u bënë gjithë ato urdhra mbrojtje dhe ca s’janë marrë. Filimisht kur vajtëm në polici thoshte dua urdhër mbrojtje dhe ngulte këmbë. Unë nuk e dija se kush ishte urdhri i mbrojtjes. Ai polici më thotë a t’ia japim urdhrin e mbrojtjes, po jepja i thashë unë!

Mirela Milori: Kërkonte ai urdhër mbrojtje nga ju?

Gruaja: Po!

Mirela Milori:  Po pse?

Gruaja: Që më dhunojnë. Unë thashë jepja pa e menduar dhe nuk e dija çfarë ishte urdhëri i mbrojtjes. Kur e mbushi kartën, ai tha nuk duhet ta prekësh me dorë ose ta kontaktosh. Çfarë thua i thashë? Unë ta prek me dorë? Po unë se kam prekur me petalen e trëndafilit, jo ta prek unë. Ai më kërcënoi, më dhunoi dhe kërkon urdhër mbrojtje, si përfundim e lamë. Vajtëm në gjykatë e mori urdhrin e mbrojtjes. E kërkonte ai urdhrin e mbrojtjes.

Mirela Milori: Donte t’iu nxirrte ju prej shtëpisë? Për çfarë qëllimi e bënte këtë?

Gruaja: Po! Ai gjithmonë agresiv që tek dera, ik prej shtëpisë se është e imja. Ik prej shtëpisë se i kam bërë unë. Ik prej shtëpisë se i paguaj unë të gjitha.

Mirela Milori: Po ku do shkonit ju me fëmijët?

Gruaja: As nuk donte ta dinte, se ku do vinin fëmija apo ku do vija unë.

Mirela Milori: Çfarë moshe ishin fëmijët në atë kohë?

Gruaja: Madhorë!/tvklan.al