Klauzola e shitjes e talentit aktivizohet në merkaton e Dimrit, pritet betejë e fortë mes klubeve

Talenti i Borussia Dortmundit Erling Haaland mund të largohet që në Janarin e ardhshëm, pasi klauzola e tij e shitjes aktivizohet në merkaton e Dimrit.

Ishte menduar se klubet e interesuara do të mund të nisnin garën për shërbimet e 21-vjeçarit norvegjez në Verën e 2022, por sipas sportives spanjolle “Marca” beteja zhvendoset më para.

Interesim për të riun ka nga disa klube dhe Dortmundi është përgjigjur se e lë të lirë futbollistin për shumën e 175 milionë Eurove.

Por klauzola e shitjes e talentit norvegjez është rreth 75 milionë Euro. Klubet e interesuara fërkojnë duart, por mes tyre nis një luftë e ashpër për të bindur sulmuesin.

Sipas “Marcas”, Haaland u bë pjesë e verdhezinjve pasi u ble nga Red Bull Salzburg në Janar të 2020 dhe klauzola që e lejon atë të shitet aktivizohet dy vite pas asaj date.

Nisur nga rrethanat, klubet e interesuara kanë vendosur që të mos nxitojnë me ofertat e tyre.

Gara do të jetë mes Manchester United, Chelsea, Manchester City, Reali, Barçës dhe Bayern. Haaland me verdhezinjtë ka realizuar 62 gola në 62 takime.  

Klan News