Deklarata e tij për marrëveshjen mes Shqipërisë e Greqisë u keqkuptua. Johannes Hahn thotë se nuk ka folur për ndryshim kufijsh me Shqipërinë, por kërkon se marrëveshja duhet mbyllur pa vonesë.

“BE nuk do të pranojë asnjë shtet që ka konflikte të pazgjidhura me vendet fqinje, kjo ka përshpejtuar negociatat në disa vende, si në rastin e zgjidhjes së çështjes së emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë apo raste të tjera. Shqipëria është në negociata me Greqinë. Kjo ndodh në nivelin bilateral pa ndërmjetësimin tonë. Më vjen keq që një fjalë ose një tjetër është keqintepretuar, sepse bëhet  fjalë thjesht për sqarimi lidhur me vijën kufitare. As më shumë as më pak. Nuk është diçka e madhe dhe besoj, që për çështje javësh, e gjitha kjo do të bëhet”.

Në krah të tij, në konferencën e përbashkët për shtyp në Bruksel, Kryeministri Rama e përforcoi këtë qëndrim.

“Situata sikur e shohim ne të gjithë është se ka tradhëtar në qeverinë greke dhe atë shqiptare. E vërteta është që të dy palët po gjejnë zgjidhje në interesat më të mira të popujve të tyre. Gjendja e procesit është e tillë, kemi bërë mjaft progres. Ka çështje që mbulojnë 70 vite histori, nga ligji i luftës të kufiri detar, janë të vështira dhe ne po i përballojmë me frymën e hapjes, kemi bërë progres. Hije të së kaluarës kanë dalë sfond. Jam 100% i sigurt se kur të finalizohen rezultatet, kushdo që akuzon për tradhëti nga të dy krahët do të turpërohet nga opinioni publik. Ne kemi bërë progres të mirë me Greqinë dhe shpresoj ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, por të hapur”.

Edhe me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, u vlerësuan përpjekjet për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.

“Përpjekjet tuaja për të zgjidhur dallimet e mbetura me Greqinë janë prova më e mirë për angazhimin e Shqipërisë ndaj BE dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”,

tha Tusk.

Per sa u takon negociatave, si komisioneri Hahn që javen e ardhshme do të vizitojë Tiranën, ashtu dhe Tusk e cilësojnë si të rëndësishëm procesin që do të pasojë vendimin e marre më 26 Qershor për vendosjen e një date për Shqipërinë.

Johannes Hahn:

“Mendoj se gjithçka që do të bëhet në muajt në vazhdim është e rëndësishme për cilësinë dhe shpejtësinë e diskutimeve në vijim”.

Donald Tusk:

“Nuk kam dyshime se nëse Shqipëria vijon momentin pozitiv të reformave do të jetë e mundur të arrijë rezultatet e nevojshme Qershorin e ardhshëm, sepse vendi i Shqipërisë është në BE dhe Shqipëria do të bëhet vend anëtar në BE. Nuk ka dyshime për këtë. Është shpresa ime dhe uroj që të gjithë krahët pro europiane të politikës shqiptare të punojnë drejt këtij objektivi të njëjtë”.

Edi Rama:

“Nuk kemi humbur 12 muaj, por kemi 12 muaj në dispozicion për të qenë të përgatitur për atë produkt që vjen pas çeljes formale. Procesi nuk nënkupton në asnjë moment deri në anëtarësim ndonjë lëvizje nga 5 prioritetet, përkundrazi shkon duke u thelluar”.

Gjatë vizitës në Tiranë, Hahn tha se do të gjejë kohë të flas me qeverinë dhe opozitën, duke kërkuar bashkëpunim mes tyre për qëllime me interes kombëtar.

Tv Klan