Haiti rrezikon të zhytet në një luftë të ashpër civile dhe në genocid. Një situatë e tillë paralajmërohet nga kreu i një prej unioneve më të mëdhenj të bandave të armatosura Jimmy Cherizier, grupet e të cilit kanë marrë kontrollin e kryeqytetit Port o Prans dhe nuk lejojnë kthimin në atdhe të kryeministrit Ariel Henry.

“Nëse Ariel Henry nuk dorëhiqet, vendi do të zhytet në genocid. Komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Kanadaja duhet të mos e mbështesin më atë sepse po na çojnë në luftë civile”, tha Cherizier.

Cherizier i njohur me nofkën “Barbecue” urdhëroi një sulm javën e kaluar ndaj burgjeve ku u liruan 3600 të burgosur, ndërsa nuk lejoi kryeministrin të kthehej nga një udhëtim nga Kenia ku kërkoi ndihmën e forcave ndërkombëtare për të kthyer sundimin e ligjit në Haiti.

Cherizier është pjesë e të njëjtit grupim politik me kryeministrin Henry, të cilin e akuzon se pengoi organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme për të mbajtur pushtetin me dhunë. Henrinë e akuzon po ashtu se është përfshirë në vrasjen e ish-presidentit Jovenel Moise në Korrik 2021 për t’i marrë pushtetin, ndonëse Henry konsiderohej si pasardhësi i tij kryesor politik.

Tv Klan