Shtetet e Bashkuara janë të unifikuara në qëndrimin për çështjen e Kosovës edhe tani që diskutohet për rishikim të kufijve me Serbinë. Këtë e shprehu qartë ambasadorja amerikane në OKB, Niki Hejlli në një konferencë për shtyp ku u pyet për deklaratat e këshilltarit të presidentit Trump për sigurinë kombëtare Xhon Bolton, i cili pak javë më parë u shpreh se Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë mbështetjen për rishikimin e kufijve nëse të dyja palët bien dakord.

Nikki Haley, ambasadore e SHBA në OKB:

Nuk mendoj se pozicionet tona kanë ndryshuar. Ajo çka po dëgjoni është ajo që kemi thënë gjithmonë. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe vlerësuar Kosovën si shtet mik dhe kështu do të vazhdojmë. Mund të ketë zëra individualë që flasin brenda administratës. Por kur flasim si administratë, flasim vetëm me një zë dhe kështu do të vijojmë ta bëjmë.

Propozimi ka ardhur fillimisht nga presidenti kosovar Hashim Thaçi, por është kundërshtuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe vendet europiane. Rishikimi i kufijve – sipas saj – mund të çojë në shkëmbime territoresh mbi baza etnike, duke krijuar efekt domino negativ me pasoja destabilizuese për gjithë rajonin. Megjithatë, Thaçi është kundër shkëmbimit të territoreve, por propozon bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën.

Tv Klan