Rrëshqitjet detyruan ARRSH të ndërtojë një tunel të dytë

Rruga Lin-Pogradec është hapur plotësisht për qarkullimin e automjeteve. Nëse më parë në hyrje të Pogradecit makinat duhet të kalonin në një terren të vështirë për shkak të rrëshqitjeve që ndodhën, tashmë tuneli panoramik ka përfunduar. Tuneli dhe trotuaret janë pajisur me ndriçues për automjetet dhe këmbësorët që udhëtojnë natën.

Punimet për ndërtimin dhe sistemimin e segmentit që lidh Qafë Thanën me pjesën juglindore të vendit filluan përpara 3 vjetësh, në Shkurt të 2016-s.

Në total kontrata e parë për të përfunduar këtë aks panoramik buzë liqenit të Ohrit ishte 9.7 milionë Dollarë, por rrëshqitjet e skarpatit të malit detyruan shtesën e vlerës së projektit dhe hartimin e një zgjidhjeje të re, përmes ndërtimit të tunelit të parë.

Rrëshqitja e parë ndodhi në Janar të vitit 2018 e menjëherë pas përfundimit të tunelit të parë, Autoriteti Rrugor u detyrua të miratonte një tjetër ndërhyrje emergjence në Janar të këtij viti për shkak të rrëzimit të një pjese tjetër të malit afër të njëjtit vend. Nikollaq Mihali, inxhinier në Autoritetin Rrugor Shqiptar, thotë se punimet ishin të vështira, por tuneli i dytë përfundoi 3 muaj përpara afatit të kontratës.

Në total rruga e riparuar ka një gjatësi prej 1050 metrash, ndërsa tunelet arrijnë në 350 metra. Rruga është e ndarë në dy korsi, ku bashkë me trotuarin në krahun e majtë të saj për kalimin e këmbësorëve dhe biçikletave ka një gjerësi prej 10.5 metrash.

 Përgjatë gjithë zonës janë mbjellë pemë dekorative dhe po ashtu edhe mbi tunelet e ndërtuara janë mbjellë pemë bliri dhe lule dekorative.

Në të gjithë gjatësinë e rrugës Lin – Pogradec është vendosur ndriçim, i cili funksion me sensorë drite edhe në brendësinë e tunelit, duke shmangur komandimin manual.

Tani po punohet për rregullimet e fundit. Punimet pë riparimin e skarpatit të malit, ku ndodhën rrëshqitjet, përfunduan 3 muaj përpara afatit. Rruga është e hapur për sezonin turistik të këtij viti, ndërsa tashmë po bëhet sistemi dhe sheshimi i rrugës së vjetër, ku kalonin automjetet.

Tv Klan