Haradinaj i përgjigjet Macron

Haradinaj i përgjigjet Macron

15:23 16/07/2019

“Serbia duhet të njohë Kosovën”

Porosia nga Serbia që i bëri Kosovës presidenti i Francës për arritjen e një kompromisi në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi nuk e ka zbrapsur kryeministrin e Kosovës nga qëndrimi i tij.  

Ramush Haradinaj tha se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa një kornizë marrëveshje, derisa për të kompromis për heqjen e taksës është vetëm njohja nga Serbia.

“Falenderojmë presidentin për sinqeritetin e shprehur kur tha se Kosova dhe Serbia janë me perspektivë evropiane. U pa qartë një dëshirë për t’i afruar të dy shtetet. U pa një investim i madh. Nëse flasim për kompromis është nëse heqim taksën në shkëmbim të njohjes. Mund të jetë kompromis kjo heqja e taksës, ndërsa ajo që ka kërkuar Kosova është bazike. Kemi kërkuar kornizë marrëveshjeje për njohje të territorit ekzistues”, tha Haradinaj.

Për analistin Fisnik Halimi, kryeministri Haradinaj me qëndrimet e tij i ka shkaktuar dëme Kosovës.

“Është mirë që kryeministri Haradinaj të dalë nga vorbulla e politikës së përditshme, të kthehet dhe të ulet në tavolinën e  bisedimeve për të negociuar zgjidhjen e mundshme”, u shpreh analisti Fisnik Halimi.

Sipas tij, me vizitën e presidentit francez në Beograd konfirmohet se politika franceze po i kthehet rrënjëve.

“Presidenti Macron asnjë moment të vetëm nuk i është kundërvurë idesë së shkëmbimit të territoreve. A është i rrezikshëm shkëmbimi i territoreve? Them se po, por është e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë”, shtoi Halimi.

Deri më tani përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare nuk kanë rezultuar me sukses për të ulur palët në tavolinë, përpos një pjesëmarrje që patën të dyja vendet në Samitin e Berlinit, derisa takimit tjetër që ishte paraparë në Paris dështoi.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT