Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se projektligjet për ushtrinë do të hidhen për miratim në parlament më 14 Dhjetor dhe ky është vendim sovran në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Ai i bëri këto komente në parlamentin e Kosovës, një ditë pasi që sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi kundër një vendimi të tillë.

Sekretari i NATO-s tha të enjten se ka biseduar në telefon me kryeministrin Haradinaj dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ka theksuar që të dyja palët duhet të përmbahen dhe të shmangin çdo deklaratë apo veprim provokues.

“Me zotin Haradinaj, e ngrita çështjen e planit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Nënvizova se një veprim i tillë është në kundërshtim me këshillën e shumë aleatëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja negative për të ardhmen e integrimeve euro-atlantike. E nënvizova që nëse ndryshon mandati i Forcës së Sigurisë, NATO-ja duhet ta shqyrtojë shkallën e angazhimit me këtë forcë”,

shkroi ai.

Ndërsa me presidentin serb, tha se ka biseduar “për nevojën e uljes së tensioneve aktuale. U kam përkujtuar të dyve se bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, janë rruga e vetme për vendosjen e paqes afatgjatë dhe qëndrueshmërisë në rajon. NATO-ja mbetet e përkushtuar për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Kosovës në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it të mandatar nga Kombet e Bashkuara”, theksoi sekretari Stoltenberg.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha të mërkurën se “përdorimi i ushtrisë” është një nga mundësitë nëse Kosova vazhdon me planet për formimin e ushtrisë së saj, që sipas Beogradit mund të drejtohet kundër pakicës serbe.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se krijimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka të bëjë me militarizim të vendit, por kjo sipas tij është një propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë.

“Nuk i dedikohet krijimi i ushtrisë sulmit në veri është gënjeshtër e tyre ashtu siç dinë t’i bëjnë dhe bëjnë gabim që frikësojnë popullin serb. Ne do të ndërmarrim veprime sqaruese për serbët e Kosovës. Dje isha në Plemetin, do të shkoj në çdo vend të Kosovës që të sqaroj që propaganda që u jepet nga Serbia është e qëllimshme, e rrejshme dhe viktimizon serbët”

, tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se Serbia po bën përpjekje në mënyra të ndryshme për të paraqitur Kosovën si vend jo normal. Ai tha se për formimin e Ushtrisë së Kosovës janë zhvilluar biseda me të gjitha palët e interesuara.

“E vërteta është që aleanca e NATO-s po ashtu ka peshë të madhe në mendime të veta në ato që i shprehë për Kosovën dhe është prezente në Kosovë, mirëpo Kosova është e sigurt që nuk do të sjellë asnjëherë në rrezik marrëdhëniet me aleancën e NATO-s. Ne ende nuk kemi aplikuar për anëtarësim në NATO dhe kur të aplikojmë është shumë me rëndësi që të kemi sqarimet e duhura për secilin vend anëtarë të NATO-s”,

tha ai.

Më 18 Tetor, parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjet për zgjerimin e përgjegjësive të Forcës së Sigurisë, duke shmangur ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës, ndryshime që u pamundësuan për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe deputetëve serbë.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u tensionuan kohët e fundit pasi që qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj fushatës së saj kundër shtetësisë së Kosovës./VOA