Gjatë afro tre viteve që ish-presidenti Hashim Thaçi ndodhet i burgosur në Hagë është vizituar nga disa prej përfaqësuesve të shtetit shqiptar. Këtë të mërkurë për pak minuta ai ka patur mundësi të takohet me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani. Ky i fundit flet për gjendjen e ish-kreut të shtetit të Kosovës, i cili vazhdon të jetë në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor së bashku me tre ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së.

“E gjeta në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur që e drejta do të triumfojë. Ishte vërtet mbresëlënëse kurajo e tij, ekuilibri i brendshëm, qetësia e kthjelltësia e vizionit që ka për të ardhmen”, tha Hasani.

Hasani thotë se e ka siguruar Thaçin se mbështetja nga ana e qeverisë shqiptare nuk do t’i mungojë.

“Diplomacia shqiptare, ashtu si dhe më parë, do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për një proces gjyqësor të hapur e transparent, në respektim të plotë të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare”.

Prej Nëntorit të 2020 ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po përballen me akuza për krime lufte.

Tv Klan