Presidenti shprehet se ditë më të mira do vijnë

Ka reaguar për herë të parë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas publikimit të aktakuzës ndaj tij nga zyra e Prokurorit të Specializuar. Ai në një status në Facebook ka shkruar se “askush nuk mund të rishkruajë historinë e Kosovës”.

Ndërsa menjëherë pas arritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ka njoftuar se të dielën në mbrëmjes do t’u drejtohet qytetarëve nga zyra e Presidencës.

“Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditë më të mira për Kosovën dhe Kombin shqiptar i kemi përpara. Gjithmonë i juaji, deri në fund”, shkruan Thaci në Facebook.

Asnjë fjalë deri më tani nuk e ka thënë as Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo parti është mbledhur mbrëmë por nuk janë bërë të ditura detajet e takimit. Dy ditë më parë kreu i LDK-së Isa Mustafa ka kërkuar unitet të faktorit politik në Kosovë.

Gjatë ditës së sotme kreu i LDK-së Isa Mustafa ka zhvilluar një takim në një nga hotelet e Prishtinës me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj. Pas takimit, Haradinaj nuk ka pranuar të flasë për media.

Ndërsa Mustafa ka vazhduar qëndrimin në hotel dhe në të pas Haradinajt është parë të ketë hyrë Skënder Hyseni i LDK-së.

Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka publikuar të mërkurën aktakuzën për krime lufte kundër Presidentit Thaçi, kreut të PDK-së Kadri Veseli dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Aktakuza u publikua tri ditë para takimit në Uashington që do të shënonte rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi për çka edhe pasoi anulimi i takimit.

Tv Klan