Helmimi i Navalny, përplasje Moskë – Berlin



Helmimi i Navalny, përplasje Moskë – Berlin

12:45 03/09/2020

Merkel: Tentuan ta vrisnin. Kremlini mohon akuzat

Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny u helmua me Noviçok, një lëndë helmuese vdekjeprurëse e kategorizuar tek armët kimike të ndaluara me konventa ndërkombëtare. Është ky rezultati i analizave të kryera nga laboratori i toksikologjisë i ushtrisë gjermane, nga provëzat e gjakut që morën mjekët nga Alexei Navalny në spitalin ku po kurohet në Berlin dhe ku aktualisht ndodhet në gjendje kome.

Por zhvilluesit rusë të kësaj lënde hedhin poshtë rezultatet e nxjerra nga laboratori gjerman. Të cituar nga mediat ruse, Leonid Rink dhe Vladimir Uglev thonë se Alexei Navalny do të kishte ndërruar jetë brenda një periudhe të shkurtër po të kishte rënë në kontakt me Noviçokun. Sipas tyre, krizat e forta të cilat e kapën atë në avion do t’i kishin shkaktuar vdekjen dhe fakti që është gjallë dhe është në koma, tregon se ai nuk është helmuar me këtë lëndë.

Në reagimin e saj, Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu bindjen se Navalny kishte rënë pre e një tentative vrasjeje dhe u kërkoi autoriteteve në Moskë të hetojnë për zbulimin e shkaqeve dhe autorëve. Merkel tha se në varësi të reagimit të Moskës do të konsultohet edhe me partnerët e NATO-s për t’i dhënë së bashku përgjigjen e merituar këtij rasti. Por Kremlini hedh poshtë akuzat se Navalny është helmuar dhe për më tepër që helmimi ka lidhje me rolin e tij si aktivist i opozitës anti-Putin. Sipas zyrtarëve rusë, analiza nuk bazohet tek specifikat Noviçokut.

Kjo lëndë u përdor edhe për helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe të bijës Julia në Britaninë e Madhe. Ata qëndruan për disa javë në koma, por i shpëtuan vdekjes, pas kurimit në këtë vend.

Tv Klan




Të ngjashme