Pesë të arrestuarit refuzojnë bashkëpunimin me policinë, municionet dërgohen ne laborator

Armët luftarake dhe municionet e sekuestruara nga policia pas shkatërrimit të 18 bazave ku ishin magazinuar janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës. Grupi hetimor është duke kryer verifikime nëse këto armë janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Pas këqyrjes paraprake të armëve, mësohet se nuk janë përdorur në ngjarje të tjera, ndaj po verifikohen nëse ka shenja gishtash të fiksuara që mund të çojnë në arrestimin e personave të tjerë.

Sipas burimeve, bëhet e ditur se ata janë të dyshuar si përgjegjës vetëm për 3 ngjarje kriminale, atë vendosjes së eksplozivit ndaj Artian Bylykut dhe Edmond Saraçit si dhe sulmin me armë ndaj avokatit Paulin Papleka.

Pesë të arrestuarit Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi, Arben Sufa janë marrë në pyetje por nuk kanë bashkëpunuar me policinë për të dhënë detaje të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Për këtë arsye policia deri më tani ka shpallur në kërkim vetëm Sokol Xhurën dhe Akil Kullën.

Arsenali i armëve u zbulua nga dëshmia e Enver Jamakut, i arrestuar si personi që u pagua për të vendosur tritolin në makinën e Gjon Menës në Kamëz.

Të ndaluarit do të dalin para Gjykatës Speciale të shtunën, ku do të njihen me masën e sigurisë.

Klan News