Prokuroria e Tiranës kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 6 të arrestuarit e operacionit antidrogë “Agimi”. Sipas hetimeve të akuzës së Tiranës është vërtetuar përfshirja e këtyre shtetasve në trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike. Prokuroria ka zbardhur detaje të tjera për këtë grup, pjesë e të cilit është dhe ish – nën oficeri i ushtrisë Fatmir Haka.

Pikërisht në banesën e këtij të fundit u morën 27 kilogramët e kanabisit që u sekuestruan nga policia. Përveç ish – ushtarakut u ndaluan në flagrancë Ylber Tahiri, Fatjon Hoxha, Valter Dedëndreaj, Urim Haka dhe Arben Meta. Grupi hetimor po punon për të përcaktuar se cilit prej të dyshuarve i përket kallshnikovi i gjetur në një prej mjeteve të sekuestruara gjatë operacionit.Prokuroria ka zbardhur dhe dinamikën dhe rolet e të ndaluarve të premten e kaluar.

Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip BMW me targa “AA 993 BX”  u gjetën 4 thasë të bardhë të mbushura me hashash.

Nga kontrolli i ushtruar në automjet, në sediljen e pasme u gjet dhe u sekuestrua një automatik kallashnikov, së bashku me një karikator më 27 fishekë luftarakë. Ndërsa një armë zjarri pistoletë është gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesë.

Tv Klan