Hetohen 6 raste të vdekjes së pacientëve me Covid-19



Hetohen 6 raste të vdekjes së pacientëve me Covid-19

15:42 06/07/2020

Rikthehet karantina në 4 komuna të Kosovës

Kanë nisur hetimet për vdekjet e dyshimta të pacientëve me COVID19,  në orët e para të së dielës. Policia në raportin 24 orësh njofton se rasti është duke u hetuar, ndërsa bëhet fjalë për 6 vdekje të dyshimta.

Megjithatë, gjatë së dielës kanë vdekur 9 të prekur nga virusi dhe 8 të tjerë të shtunën.

Rritja e numrit të të prekurve me koronavirus, ku vetëm gjatë fundjavës janë konfirmuar 330 persona ka bërë që qeveria të dielën të aprovojë masa kufizuese, të cilat kanë hyrë në fuqi sot.

Në katër komuna rikthehet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 21:00 deri në 17:00, ndërsa sektorit të gastronomisë i ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit. Jashtë këtij orari do të punohet vetëm në mjedise të hapura dhe me shërbimin merr me vete.

Këto masa nuk i kanë pëlqyer drejtuesve të Odës Ekonomike të Kosovës.

Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi u shpreh: Rritja e rasteve duhet të parandalohet me vetëdijësim e jo me mbyllje të bizneseve dhe kufizim të lëvizjes, nëse është e nevojshme vetëdijësimi duhet të arrihet edhe me rritje të ndëshkimeve dhe sanksioneve për të gjithë qytetarët dhe bizneset që nuk respektojnë masat parandaluese.

Masat e reja kufizuese po i cilësojnë të dëmshme edhe njohësit e çështjeve ekonomike.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu tha: Mbyllja e ekonomisë nuk është alternativë, duhet të rriten masat vetëdijësuese të ketë kontroll dhe definitivisht të respektohen rekomandimet e IKSHP-së.

Por qytetarëve u kanë pëlqyer këto masa.  

Në Kosovë janë infektuar 3 508 persona me COVID19, të shëruar janë 1902 ndërsa 75 të vdekur.

Tv Klan




Të ngjashme