MB: Nëse shfaqet në publik do të merren masa

Janë bërë 24 orë që kur ka aterruar në Aeroportin e Tiranës kreu i AKR-së Behgjet Pacolli dhe nuk është lajmëruar më. Të vetmit që kanë komunikuar me media kanë qenë disa zyrtarë të afërm të Pacollit, të cilët kanë konfirmuar se ai gjendet në Tiranë.

Por dyshime janë hedhur se ai mund të ketë hyrë ilegalisht në Kosovë me veturë zyrtare të Presidentit Hashim Thaçi për t’i ikur karantinimit. Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeqla, ka thënë se presidenti ka kaluar kufirin për në Shqipëri para orës 18:00, ndërsa është kthyer në orën 19:20.

“Presidenti ishte ulur në ulësen e parë. Policia për shkak të xhamave, nuk ka mund të dallojë a ka edhe persona të tjerë ulur prapa. Tash është konfirmuar se protokolli i shtetit përkundër dispozitave ligjore nuk është njoftuar për vizitën e Presidentit”.

Megjithatë sipas tij nuk ka konfirmim se presidenti Thaçi ka qenë i shoqëruar nga Pacolli. Sipas tij nëse një skenar i tillë është i vërtetë paraqet mosrespektim të plotë të organeve të vendit. Ndërsa ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave ndaj tij.

“I kërkojmë z. Pacollit të përgjigjet dhe të tregoj se ku është. Nëse ai shfaqet në publik në një moment të caktuar policia do të ndërmarrë masa në bazë të legjislacionit në fuqi”.

Ai tha se sipas vendimit të qeverisë personat për të cilët vërtetohet që kanë qenë në kontakt me personat e dyshimtë futen në karantinë dhe nëse vërtetohet se Thaçi ka qenë në kontakt me Pacollin obligohet t’i nënshtrohet karantinës apo vetë izolimit.

Tv Klan