Shkrimi i Dritëro Agollit “Në kërkim të një ëndrre dhe të një dinamoje” në “Zërin e popullit” në vitin 1965, për ndërtimin e një centrali të vogël elektrik dhe elektrifikimin që në atë kohë të familjes Alia në Kryezi të rrethit të Pukës, u bë shkak i njërës nga intervistat në mbrëmjen e sotme në “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

Një nga pjestarët e kësaj familje, Gjovalin Alia rrëfeu për ngritjen e një centrali familjar, organizimin e jetës në kullën e Aliave me mbi 70 anëtarë dhe më vonë izolimin nga jeta shoqërore të kryetarit të kësaj famijlje, Mark Dod Alisë nga organet e pushtetit popullor dhe deri  në arrestimin dhe dënimin me 6 vjet burg të 90-vjeçarit për agjitacion dhe propagandë në vitin 1976.

Ylli Tabaku ishte një tjetër i ftuar i mbrëmjes së sotme. I njohur që në fëmijëri me persekutimin e familjes dhe historia e një tentative spektakolare arratisjeje, që ishte  shkaku i një burgu të gjatë prej 30 vjetësh, ishin momentet kryesore ku u ndal ky personazh gjatë rrëfimit të tij./tvklan.al