Kuvendi i Maqedonisë me 81 vota “pro”, ka miratuar ndryshimin e Kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar të emrit.

Ndryshimet kushtetuese që dalin nga Marrëveshja e Prespës kaluan edhe në fazën e tretë finale në Kuvendin e Maqedonisë, prej se paraprakisht seanca plenare disa herë ishte anuluar, derisa Kryeministri Zaev negocionte me Lëvizjen Besa të Bilall Kasamit, rreth disa amendamenteve të saj për pozitën e shqiptarëve në Kushtetutë.

Është dakorduar që kërkesat e opozitës shqiptare të realizohen përmes ligjit kushtetues dhe jo përmes amendamenteve plotësuese.

Ndërkaq, nga opozita maqedonase kanë kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, pala e Maqedonisë tashmë nuk ka pengesa për implementimin e Marrëveshjes së Prespës. Tani në radhë është votimi në parlamentin grek.

Tv Klan