58 vite duken pak për të krijuar një traditë arti. Megjithatë Shkollës së Baletit iu desh vetëm gjysmë shekulli për të formuar disa nga talentet më të spikatur jo vetëm në skenat tona, por edhe ato që emocionuan sallat më të mëdha të teatrove të botës.

Në një intervistë për “Jo vetëm modë” në Tv Klan, pedagogët Nermin Ahmeti, Luan Shtino dhe Drejtoresha e Shkollës së Baletit Blerina Arbana treguan më tepër rreth historisë së kësaj shkolle dhe se si u bënë pjesë e saj.

“Kemi lënë zërin, dijet e ç’ka kishim, gjërat më të shenjta kemi lënë në këto salla baleti”,

tha pedagogia Nermin Ahmeti.

“Nuk bëhet ky zanat pa të përditshmen. Dimër, verë, ngrohtë apo ftohtë duhet të jesh në sallë”,

tha pedagogu Luan Shtino.

“Nxënësve të mi unë iu them: Syri duhet të këndojë, dora duhet të ledhatojë, këmba duhet të kërcejë dhe trupi duhet të ndjejë”,

tha Blerina Arbana.

Historia e Shkollës Kombëtare Koreografike zë fill atëherë kur shfaqjet e baletit klasik për shqiptarët dukeshin ende një koncept i largët, kurse për shtetin konsideroheshin një shpenzim luksi. Zë fill atëherë kur disa fëmijë të zhdërvjelltë të grupit të valleve dhe akrobacisë së Pallatit të Pionerëve u mblodhën pa e ditur se një ditë do të bëheshin themeluesit e një prej institucioneve më të rëndësishme artistike të vendit. Në vitin 1957 u krijuan klasat e para të kërcimit koreografik në Shqipëri.

“Për të mbushur klasat në atë kohë kishte probleme, sidomos me vajzat. Mentaliteti ishte shumë shumë larg atij të ditëve të sotme. Punën më të madhe dhe të jashtëzakonshme për të gjetur vajza e ka bërë balerina e famshme Ganimet Vendresha”, 

tha Shtino.

“Të gjithë ato që u pranuan tek Shkolla e Baletit ishin në një lagje. Aty ka patur shtëpinë edhe Ganimet Vendresha dhe ajo na tha të mblidheshim se do të hapej shkolla. Më kujtohet që kemi qenë 15 veta, dy prej të cilëve kanë qenë nga Shtëpia e Fëmijës. Si përfundim ata që e mbaruan shkollën ishin vetëm 6-të”,

tha Ahmeti.

Petrit Vorpsi, Agron Aliaj, Zoica Haxho, Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu dhe Melushe Bebeziqi u dërguan në Moskë për të studiuar në shkollën koreografike të Teatrit Bolshoi, ku u trainuan nga ikonat e baletit rus. Melushe Bebeziqi qendroi në Moskë ku u bë edhe pjesë e Teatrit Bolshoi si soliste në 16 shfaqje. Por jeta e saj do të ishte e shkurtër, pas 9 vitesh në skenën e teatrit botëror, në vitin 1967 ndërroi jetë në moshën 34-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Pesë balerinët e kthyer nga Bolshoi u bënë mësues në klasat e sapohapura të baletit, por edhe solistët e parë në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe ikonat e asaj që sot e njohim si Shkolla e Baletit.

“Në kohën e komunizmit ne ishim të detyruar të kërcenim çdo gjë, i bënim të gjitha. Nëse nuk i bënim na priste ndonjë minierë”,

shtoi Shtino.

Një nga ikonat e Teatrit të Operas, Petrit Vorpsi u zgjodh si protagonist i disa prej veprave historike që u vunë në skenë në atë kohë. Gjithashtu ai u zgjodh unanimisht për të qenë drejtori i parë i shkollës koreografike në Shqipëri, e cila në atë kohë funksiononte vetëm në formë kursesh. Dëshira e tij për të hapur një shkollë të veçantë baleti u konsiderua e pavend.

Prej 14 vitesh drejtoreshë e Shkollës së Baletit, Blerina Arbana dikur ka qenë vetë nxënëse e pedagogëve që bënë historinë e baletit shqiptar.

“Kam nisur të kërcej në moshën 10-vjeçare pas një konkursi ku morën pjesë 300 fëmijë të vegjël. Pata pozitivitet në konstruktin tim sepse isha gjimnaste, por pata një problematikë tjetër përsa i përket shputës së këmbës. Punoja në shtëpi bashkë me babin tim. Shkollës së Baletit nuk mund t’i mungonin 5 salla me emrat e themeluesve të kësaj shkolle”,

tha Arbana.

/tvklan.al