Kërkojnë ndarjen nga Maqedoni për hapjen e negociatave me BE-në

Disa deputetë holandezë në Komisionin për Çështje Evropiane kërcënuan sërish qeverinë e këtij vendi me mocion nëse nuk propozon në Bruksel ndarjen e vendimmarrjes për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, në lidhje me hapjen e negociatave në muajin Dhjetor. Ministrit të Jashtëm Blok iu tërhoq vëmendja se duhej të bazohej në disa burime informimi për të arritur në një vlerësim të rreptë dhe të ndershëm për shkallën e arritjeve në të dy shtetet ballkanike, pavarësisht vlerësimit në raportprogresin e fundit.

Në përgjigje të pyetjeve të ligjvënësve, Ministri Blok e ka bërë të qartë se prisnin funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, evidencë nga autoritetet shqiptare për rastet konkrete të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë zyrtarë të një niveli të lartë. Ndër kushtet e tjera që do të vlerësohen, janë edhe frenimi i migracionit të parregullt, konsensusi në ligjin zgjedhor dhe zbatimi praktik i tij bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe rishikimi i ligjit për median, bazuar në rekomandimet e fundit të Komisionit të Venecias.

Më 14 Shtator, një javë pasi ministri Blok paraqiti me një letër zyrtare qëndrimin kundër hapjes se negociatave me Tiranën, në fund të vitit, ambasada shqiptare në Hagë kërkoi nga parlamenti holandez që t’u krijohet mundësia homologëve shqiptarë të komunikojnë online, për të dhënë shpjegime rreth kushteve të Hagës. Vetëm dje, kjo kërkesë u pranua dhe është vendosur që Rudina Hajdari dhe Taulant Balla, më datë 27 Tetor të kenë një orë në dispozicion pasdite për të bërë lobimin e fundit para se parlamenti holandez të vendosë përfundimisht më 3 Nëntor.

Në mbledhjen e komisionit, e konsideruar e shkurtër nga Ambasada në Tiranë, por që ka zgjatur rreth dy orë, deputetja Leijten e akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe se nuk ka mbajtur parasysh se për Shqipërinë ka ende një mocion bllokues në fuqi. Po ashtu, deputeti Omtzigt theksoi se nuk ishte aspak i kënaqur me zhvillimet e fundit negative në Tiranë dhe progresin që shfaq raporti i Brukselit. Në të njëjtën linjë, deputeti nga Partia Reformiste, Roelof Bisschop, tha se pasi qeveria të vijë me versionin e saj, ai kishte ndërmend të paraqiste në parlament një tjetër mocion kundër. 

Kryetarja e Komisionit i kërkoi Ministrit Blok që të sjellë edhe një tjetër vlerësim, nëse Shqipëria i ka plotësuar kushtet specifike holandeze përpara se parlamenti në seancë të marrë një vendim që të autorizojë qeverinë si të sillet në Bruksel për këtë çështje.

Klan Plus