Sot mbahet takimi i dytë i dialogut në Bruksel

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pritet që delegacionet e të dyja vendeve të kenë së pari takime të ndara me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, e pastaj edhe takim të përbashkët që pritet të zhvillohet në orën 14:00.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bëri të ditur sot se dialogu teknik mes dy vendeve ka përfunduar dhe se sot në Bruksel nis draftimi i marrëveshjes mes dy vendeve.

“Dialogu nuk ka alternativë. Por, dialogu teknik ka përfunduar. Tani Kosova ka nisur dialogun për njohje reciproke, dhe sot në Bruksel fillon draftimi i kësaj marrëveshje. Qasja refuzuese ndaj dialogut dhe ndaj miqve tanë në të kaluarën e afërt na ka izoluar. Shtëpia nuk mbahet pa miq”, shkruan Hoti.

Tv Klan