1580 të dënuar dhe të paraburgosur përfituan nga amnistia që hyri në fuqi këtë të mërkurë, disa ditë pasi u miratua nga Kuvendi. Mes tyre, 780 prej tyre u liruan menjëherë nga qelitë e burgjeve të kryeqytetit, Rrogozhinës, Shënkollit, Lezhës, Fierit, Beratit.  800 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimeve.

Nga burgu i Rrogozhinës, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se nga kjo amnisti kanë përfituar edhe ata persona që janë në shërbim prove.

Ulsi Manja: Përfitues nga amnistia janë 2662 persona në shërbim në shërbim prove. Falënderoj 116 deputetët që bashkuan votat për t’iu dhënë mundësinë të dënuarve që të bashkohen me familjet dhe t’i kthehen jetës normale. Uroj që të kenë një bashkim normal, t’i kthehen jetës së përditshme.

Mes përfituesve nga amnistia janë edhe 24 gra, 15 prej të cilave u liruan. Drejtoresha e Burgut të Grave tha se ata kanë punuar për rehabilitimin e tyre.

“Uroj jo vetëm gratë dhe vajzat që lirohen sot, por edhe familjarëve, miqve dhe të afërmve që të kenë reflektuar dhe me punën e fortë që kemi bërë për t’i mbështetur që të mos na kthehen sërish recidiviste në sistem.”

Mesazhe për të mos u përfshirë në krime patën edhe gratë, të cilat u liruan.

“Pavarësisht gabimit që mund të bëjmë, gjithmonë ka një mundësi të dytë.”

Edhe të dënuar dhe të paraburgosur të tjerë shprehën emocionet për përfitimin nga amnistia.

“Kam marrë shumë urime nga të gjithë të dënuarit.”

“Për gabimin që bëra, vuajta dënimin.”

Kjo është amnistia e parë që pas vitit 2019 kur të dënuarit dhe paraburgosurit përfituan pjesërisht.

Tv Klan