Lëvizja deri në orën 23:00, maskë në ambientet e mbyllura

Hyn sot në fuqi ora e re policore si një prej masave kufizuese të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Nga mbrëmja e kësaj të mërkure, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, automjeteve dhe veprimtaria e bizneseve, do të nisë në orën 23:00 dhe do të zgjasë deri në orën 06:00 të mëngjesit. Gjatë muajve të verës, kjo periudhë u kufizua nga ora 12 e natës deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Ndërkohë që nga e hëna e ardhshme, pra prej 6 Shtatorit, hyjnë në fuqi edhe masat e tjera që kanë të bëjnë me hyrjen e qytetarëve në territorin e Shqipërisë.

Qytetarët duhet të kenë pasaportën e vaksinimit, testin PCR negativ brenda 72 orëve ose një dëshmi që e kanë kaluar sëmundjen në 6 muajt e fundit.

Sipas vendimit të komitetit, qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Përjashtohen nga këto rregulla fëmijët deri në 6 vjeç. Gjithashtu Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit ka rekomanduar vaksinim të detyruar për grupet më të riskuara, duke filluar me stafet mjekësore, arsimtarët dhe studentët të cilët deri në datën 30 Shtator duhet të dorëzojnë vërtetimin pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentët pranë zyrave të përcaktuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania.

Pas kësaj date, për ata të cilët nuk e kanë, do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë. Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura. Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet: 3 mije lekë për qytetarin dhe deri në 700 mije leke për biznesin apo institucionin.

Tv Klan