Shkodrani largohet nga Napoli, interes nga PSG

Elseid Hysaj sërish në furtunën e merkatos. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është futur në ditët e tij të fundit te Napoli dhe gjasat për rinovim duken më pak se të mundshme.

Kjo ka vënë në lëvizje agjentin e shkodranit, Mario Giuffredi, i cili ka nisur kontaktet me shumë skuadra. Për një radio italiane, ai ka zbuluar se e ardhmja do jetë larg Napolit në fundin e këtij sezoni.

Mes skuadrave të interesuara duket se janë kampionët e Francës, PSG. Agjenti i Hysaj ka pranuar se ka nisur kontaktet me klubin francez, me drejtorin sportiv të tyre, Leonardo që ka shprehur simpatinë për shqiptarin.

Giuffredi ka shtuar se nuk ka asgjë konkrete rreth këtij operacioni dhe gjithçka mund të konkretizohet në ditët e ardhshme.

Por, ekziston dhe një variant që mund të çojë në konfirmimin e Hysaj te Napoli. Shkarkimi i mundshëm i Gennaro Gattuso mund të rikthejë në stol, Mauricio Sarri dhe nëse kjo ndodh, Hysaj mund të pranonte të rinovonte me jugorët.

Megjithatë, këto janë thjeshtë hipoteza. E ardhmja e shkodranit shihet me mjaft interes dhe në kampin e Kombëtares shqiptare, me Edi Rejan që dëshiron të bazohet ende tek aftësitë e kapitenit.

Klan News