Një zjarr i rënë në një apartament ku jetonin dy shqiptarë i ka marrë jetën këtyre dy të fundit në Belgjikë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:45 të së premtes, në Baron de Vironlaan, në qytetin e Dilbeek. Sipas mediave vendase, zjarri ra në çatinë e banesës ku jetonin shqiptarët. Viktimat janë Pelivan Hysaj, 24-vjeç nga Berati dhe Venedik Pirushi, 23-vjeç nga Durrësi.

“Banesa është e ndarë në 3 apartamente. Zjarri nisi në çatinë e apartamentit në fjalë. Dy personat që ndodheshin brenda nuk arritën të dilnin në kohë. Ata u gjetën pas derës”,

tha një zyrtar për mediat belge. Ndërsa zëdhënësi i zjarrfikëses u shpreh se këta të fundit kishin mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta pas telefonatës, por për dy shqiptarët nuk mund të bëhej asgjë.

Sipas hetuesve, të dhënat e para nga ekspertët tregojnë për një zjarr aksidental. Megjithatë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, autoritetet belge kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë.

/tvklan.al