Çipi Neuralink i kompanisë së Elon Musk i cili është vendosur në trurin e një pacienti disa javë më parë,  ka pësuar probleme.

Kompania ka njoftuar se disa fije lidhëse të çipit janë shkëputur nga truri i Noland Arbaugh, të cilat kanë të bëjnë me shpejtësinë dhe efektivitetin e të dhënave. Neuralink nuk ka dhënë shumë detaje për ngjarjen, por thotë se ia ka dalë që ta bëjë implantin më sensitiv për të rritur performancën.

Pacienti i parë i Neuralink ka mbetur tetraplegjik që në vitin 2016 pas një aksidenti gjatë zhytjes. Atij iu vendos çipi në muajin janar si pjesë e testit eskperimental të studimit PRIME.

Qëllimi është studimi i sigurisë së implantit dhe robotit kirurgjikal si dhe testimi i funksionimit të pajisjes, shprehej kompania në një postim të vitit 2023.

Pacientëve që marrin pjesë çipi u vendoset në mënyrë kirurgjikale në atë pjesë të trurit që kontrollon qëllimin për të lëvizur. Çipi që instalohet me një robot, regjistron dhe dërgon sinjalet e trurit te një aplikacion duke synuar që “t’u mundësojë njerëzve aftësinë për të kontrolluar mausin e një kompjuteri apo një tastierë përmes mendimeve”.

Rreth një muaj pas operacionit, Musk tha se Arbaugh mund të kontrollonte mausin e një kompjuteri nëpërmjet trurit.

Ambicia e Neuralink është që të përdorë implanetet për të lidhur trurin njerëzor me kompjuterët për të ndihmuar invalidët që të kontrollojnë celularët apo kompjuterët apo që të verbërit të mund të rifitojnë shikimin.

Musk ka thënë më  parë se produkti i parë do të quhej Telepathy dhe se përdoruesit fillestarë do të ishin personat që kanë humbur kontrollin e gjymtyrëve.

Megjithatë, konsumatorët nuk kanë mundësi ta akseojnë në shkallë të gjerë pasi përpara se implantet të hyjnë në treg, nevojitet miratimi i tyre prej institucioneve në shkallë të gjerë./tvklan.al