Dy vëllezër të cilët studiuan në një prej universiteteve më prestigjioze në SHBA, janë vënë nën akuzë për vjedhjen e 25 milionë dollarëve në kriptovalutë, të kryer në vetëm 12 sekonda.

Anton Peraire-Bueno, 24 vjeç dhe James Peraire-Bueno, 28 vjeç, akuzohen për mashtrim kompjuterik dhe pastrim parash. Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë se vjedhja e dyshuar, është e para e këtij lloji. Sipas hetuesve, vëllezërit, të cilët raportohet se kanë studiuar në Institutin e Teknologjisë së Massachusetts, MIT, e kryen vjedhjen në Prill të 2023.

“Vëllezërit Peraire-Bueno vodhën 25 milionë dollarë në kriptomonedha Ethereum përmes një skeme teknologjike të sofistikuar, të cilën e planifikuan për muaj të tërë dhe e ekzekutuan në pak sekonda”, tha zëvendësprokurorja e përgjithshme Lisa Monaco.

Ajo shtoi se agjentët e Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave luajtën një rol kyç, në zbulimin e kësaj skeme, e para e këtij lloji, sa i përket mashtrimit kompjuterik dhe pastrimit të parave.

Sipas BBC, hetuesit dyshojnë se dyshja përdori aftësi mjaft të sofistikuara që i përftoi “në një prej universiteteve më prestigjioze në botë”, për të shfrytëzuar procesin e vërtetimit të transaksioneve të kriptovalutës Ethereum.

Vëllezërit studiuan për matematikë dhe shkenca kompjuterike, që të dy në MIT.

Ata dyshohet se paratë i vodhën nga tregtuesit e Ethereum, duke marrë akses me anë të mashtrimit të transaksioneve private të tyre, që ishin në pritje dhe më pas, duke ndryshuar transaksionet vodhën kriptomonedhat e tyre.

I gjithë ky proces, të cilin vëllezërit sipas hetuesve i referoheshin si “shfrytëzimi”, u ekzekutua në pak sekonda.

Kur u përballën me një përfaqësues të Ethereum, hetuesit thonë se vëllezërit nuk pranuan të kthenin fondet dhe ndërmorën hapa për të pastruar dhe fshehur të ardhurat e vjedhura.

Prokurorët theksojnë se kjo është hera e parë që ngrihen akuza kriminale ndaj një forme të tillë mashtrimi.

Vëllezërit përballen me mbi 20 vjet burg secili, nëse shpallen fajtorë./tvklan.al