Sot emisioni “Stop” udhëtoi drejt fshatit Podgorie në Korçë, për të takuar shtetasin Vezir Çoçka, i cili në vitin 2008 ka paguar kontributet e vitit 2007, si bujk për veten dhe bashkëshorten. Pasi zonja ka mbushur moshën e pensionit, ka rezultuar, që pagesa e 2007-ës nuk është derdhur në sigurime, gjithashtu dhe ajo e Vezirit.

Problemi qëndron që ne kemi paguar siguracionet e vjetërsisë punës si bujk, dhe kemi paguar të gjitha vitet. Dhe gruaja mbushi moshën në vitin 2018. Dhe në 12 Nëntor futëm kartat ne dhe an thanë këta të bashkisë së Maliqit, sepse ne nuk kishim të drejtën të vinim në sigurimet Korçë, mungon viti 2007. Iki në Korçë ishte një zonjë shumë e nderuar, Nikoleta. Ajo më thotë që Vezir nuk del 2007. Aplikova dhe për vete për vitin 2007 dhe e njëjta gjë nuk na doli. Pagesat ne i kishim bërë në Vreshtas. Me 110 mijë lekë. Punonjësi që na ka marrë pagesën nuk është më aty”, shprehet Çoçka.

Gazetarja e “Stop” shkoi në pikën postare të Vreshtasit për të kuptuar çfarë ka ndodhur me pagesat e zotit Vezir Çoçka. Atje i thonë se ish-punonjësi i ka vetë shënimet e pagesave. Por teksa grupi i xhirimit udhëtonte nga Vreshtasi drejt Korcës, një telefonatë erdhi në numrin e Vezirit, që e njoftoi, se pagesat u kryen.

Gazetarja: Zotëria ka bërë një pagesë në 2008-ën, për kontributet si bujk. Ju nuk keni qenë asaj kohe, besoj?

Punonjësi: Jo, jo!

Gazetarja: A ka një regjistër kjo pikë poste, që mbahen, shkruhen pagesat, që janë bërë nga personat, pagesat e kontributeve si bujk, përveç mandatit, që zotërisë i ka dhënë? Ka një regjistër këtu tek ju?  

Punonjësi: Personi, që ka pasur, ka pasur librat e tij, atëherë nuk ka pasur sistem, është në libër dhe i jepeshin këto mandate.

Gazetarja: Është këtu ai libri?

Punonjësi: Atë e ka vetë ai, çdo person e mban dosjen e tij, që nesër të japë përgjigje për gabimet, që bën.

Gazetarja: E mban me vete, e ka si personale, private?

Punonjësi: Jo private, diku duhet ta ketë lënë. Unë nuk e di.

Gazetarja: Këtu nuk ka arkiv, apo diçka të tillë?

Punonjësi: Jo, s’ka. Ky personi, që është këtu, që është me leje lindje, të sajat i ka të rregullta.

Gazetarja: Vazhdon të bëhet pagesa e kontributeve në postë?

Punonjësi: Patjetër! Janë online, në sistem çdo gjë.

Gazetarja: I kalojnë në sistem online sot, dikur ka qenë vetëm me shkrim?

Punonjësi: Po!

Gazetarja: Faleminderit!

Për t’u bindur që kështu ka ndodhur, gazetarja ju drejtua Sigurimeve shoqërore të Korçës, ku ju pohua, që problemi është zgjidhur nga Kryetari i degës së Kontributeve Bujar Laraku. Gjatë bisedës telefonike përgjegjësi i shërbimit postar Korçë vijon si më poshtë.

Përgjegjësi i Shërbimit, Posta Korçë: Dëgjo mua tani, se unë nuk jam në Korçë vetë. Brenda datës 30 tetor të është bërë pagesa. E kë të sigurtë! Për të dy rastet që kishit, Sigurimet Shoqërore, ia kanë  mbajtur lekët postës kështu që ti je në rregull me këtë pjesë. Pagesa është bërë, kështu që rrini i qetë! Shkoni e bëni veprimet, për çfarë ju duhet për pjesën tuaj të pensionit tani! Po pra për të dy! Ne si institucion i kemi shlyer detyrimet ndaj jush!

Kështu gazetarja e emisionit së bashku me zotin Vezir shkojnë në zyrat e Sigurimeve Shoqërore Korçë për ta vërtetuar diçka të tillë.

Bujar Laraku: Në lidhje me problemin Çoçka ne jemi në dijeni të këtij varianti dhe pranë arkës së shërbimeve shoqërore Korçë këto detyrime nuk ishin derdhur. Ne kemi kontaktuar me postën, madje i kemi bërë presion postës që kontributet e fermerit na takojnë ne të shërbimeve shoqërore. Dhe ne këtë problem nga përpjekjet që kemi bërë, personi do ti marrë kontributet e paguara dhe do ti quhet vjetërsi pune. Problemi është i zgjidhur.”

Kështu, Vezir Çoçka mori në dorë vërtetimin e derdhjes së kontributeve për vitin 2007./tvklan.al