Grupi Ndërkombëtar i Krizave tha të martën se Kosova dhe Serbia, si dhe mbështetësit e jashtëm, duhet të punojnë për zbutjen e rreziqeve afatshkurtra nga dhuna në veriun e banuar me shumicë serbe, dhe më pas të kërkojnë mënyra për të siguruar qëndrueshmëri në zonë.

Në një raport të kësaj organizate, që harton analiza të pavarura dhe këshilla për parandalim, zgjidhje dhe menaxhim të konflikteve, thuhet se “Kosova po e fiton betejën për kontrollin e veriut të saj me shumicë serbe, ndërsa shpresat për normalizim mes Prishtinës dhe Beogradit po shuhen”.

Institucionet e mbetura serbe në territorin e Kosovës, të cilat i mbijetuan luftës së vitit 1999 dhe pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, thuhet në raport, po shpërbëhen si pasojë e një operacioni paraushtarak të mbështetur nga Serbia në shtator të vitit 2023.

“Ndërsa rezistenca e kufizuar e dhunshme mbetet e mundshme, Kosova veriore, e cila shpresonte për autonomi ose bashkim me Serbinë, po i nënshtrohet pa dëshirë autoritetit të Prishtinës. Këto janë ditë të vështira për pakicën serbe, e ardhmja e së cilës është jetike për afrimin mes Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në raport, i cili përshkruan zhvillimet që nga viti 2021, bojkotimin e institucioneve të Kosovës nga punonjësit serbë në vitin 2022, përleshjet e forcave paqeruajtëse me protestuesit serbë në pranverën e vitit 2023 dhe sulmin e një grupi serbësh të armatosur që vranë një pjesëtar të policisë së Kosovës, me 24 shtator të vitit të kaluar.

Raporti vë theksin tek marrëveshja e pazbatuar që u arrit mes palëve në shkurt dhe mars të vitit të kaluar, e cila parashihte njohjen de facto të Kosovës nga Serbia dhe më shumë autonomi për veriun e banuar me shumicë serbe.

Grupi i Krizave tërheq vërejtjen se ka pak shpresë që dialogu i lehtësuar nga Bashkimit Evropian do të sigurojë tejkalimin e situatës aktuale mes dy vendeve, dhe marrëdhëniet Beograd-Prishtinë ka të ngjarë të mbeten të ngrira.

“Në këtë sfond, si palët ashtu edhe aktorët e jashtëm që duan qetësi në Ballkanin Perëndimor duhet ta kthejnë vëmendjen së pari drejt zbutjes së rrezikut afatshkurtër nga dhuna dhe më pas drejt qëllimeve të arritshme që mund të inkurajojnë qëndrueshmërinë politike nëse dështojnë të arrijnë përparim në marrëveshjen e normalizimit”, thuhet në rapor,t në të cilin përshkruhen idetë për veprime në të ardhmen e afërt.

Përparësia kryesore, thuhet në raport, është çmilitarizimi.

“Kosova duhet të tërheqë njësitë e saj të posaçme të policisë nga rajonet me shumicë serbe dhe, derisa ta bëjë këtë, duhet t’i vendosë ato me masë dhe vetëm në bashkërendim me paqeruajtësit e KFOR-it, të cilët veriorët i shohin si më të besueshëm, duke pasur parasysh përkushtimin e tyre për qasje neutrale”.

Më tej thuhet se për të rritur ndjenjën e sigurisë në Prishtinë, KFOR-i duhet ta ndihmojë Kosovën të kontrollojë kufirin e saj, të parandalojë kontrabandën e mëtejshme të armëve të rënda, dhe të zbulojë depot e armëve të dërguara më herët.

Nga ana e saj, thuhet në raport, Serbia duhet të pushojë mbështetjen ndaj veprimtarive paraushtarake dhe të ndjekë penalisht ata që janë përfshirë në vrasjen e policit të Kosovës.

“Në mungesë të një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse, barra do të jetë mbi BE-në, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për të ruajtur paqen dhe për të shmangur përshkallëzimin, derisa kushtet për një marrëveshje të negociuar të jenë pjekur. Kjo do të nënkuptojë trysni mbi Prishtinën për tërheqjen e policisë së posaçme dhe Beogradit për të ndërmarrë hapat e lartpërmendur, duke mbajtur dhe, nëse është e nevojshme, duke përforcuar praninë paqeruajtëse të NATO-s”, thuhet në raport.

Një përparësi tjetër, sipas grupit, është përmbushja e nevojave të pakicës serbe të Kosovës, me ose pa një kuadër formal për autonomi.

“Veriorët varen nga shkollat, universitetet dhe objektet e kujdesit shëndetësor që drejtohen nga Serbia. Shumica e popullsisë punon në punë të paguara drejtpërdrejt ose tërthorazi nga Beogradi, dhe shumë prej tyre marrin sigurime sociale, të gjitha në dinarë serbë, përmes një rrjeti të zyrave postare dhe bankave që Prishtina dëshiron t’i mbyllë”, thuhet në raport.

Grupi tërheq vërejtjen se “nëse (qytetarët serbë) humbasin qasjen në punët dhe përfitimet nga Serbia, shumë do të emigrojnë. BE-ja dhe SHBA-ja duhet t’i kërkojnë Kosovës që të garantojë se këto shërbime kryesore serbe do të mbeten në vend. Ata gjithashtu duhet të vazhdojnë t’i bëjnë trysni Prishtinës për t’i dhënë fund ndalimit të importit të ushqimeve dhe ilaçeve nga Serbia, si për përdorimin e dinarit serb. Për të gjitha këto çështje, Kosova duhet të ndjekë udhëheqjen e BE-së dhe SHBA-së”.

Së fundi, thuhet në raport, pakica serbe ka nevojë për një zë. “Ajo ka humbur besimin në përfaqësuesit e saj politikë, të cilët janë emëruar nga Partia Përparimtare Serbe në pushtet në Serbi. Shumë prej tyre i frikësohen Prishtinës dhe ndjehen të tradhtuar nga Beogradi, ndërsa ndjehen të injoruar nga Brukseli dhe Uashingtoni. BE-ja i bëri thirrje Kosovës që të krijojë institucione të qëndrueshme demokratike gjithëpërfshirëse për pakicën e saj serbe, pa dobi. Në vend të kësaj, Prishtina po ecën ngadalë drejt zgjedhjeve të reja në komunat veriore. Zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më vonë se në verën e vitit 2024”.

Grupi thekson se Brukseli dhe Uashingtoni duhet të vazhdojnë të diskutojnë me Prishtinën për të parë “nëse ajo mund të përqafojë kushtet e marrëveshjes së normalizimit duke përfshirë krijimin e një Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Kjo marrëveshje, thuhet në raport, do të ishte e mirë për serbët e veriut, por edhe për Prishtinën. “Lëvizja drejt autonomisë së veriut me siguri do të jetë një pjesë thelbësore e çdo marrëveshjeje që e integron Kosovën më thellësisht në sistemin ndërkombëtar dhe Kosova nuk mund të ketë kurrë një ofertë më të mirë se kjo”./VOA