Drejtori sportiv i Lacios akuzohet se ka zotëruar një kompani bastesh, shqiptari paralajmëron se do ta ndjekë çështjen ligjërisht

Drejtori sportiv i Lazio Igli Tare akuzohet nga mediat italiane se zotëronte një kompani bastesh.

Vetë drejtuesi i bardhekaltëve deklaroi se nuk ka lidhje me shoqërinë e basteve shqiptare “Top Bast”, në një komunikatë të shpërndarë nga avokatët, të cilëve u ka dhënë prokurën për ta ndjekur ligjërisht çështjen.

Reporterët e “Report” në Rai 3 kryen një investigim ku zbuluan se Tare bashkë me të vëllain Gentin kontrollonin shoqërinë e basteve Top BAST, ku pronari ishte dikush i vendosur sa për fasadë.

Investigimi nisi nga hetimet e Prokurorisë së Barit pasi Guarda di Finanza, në Nëntor të 2018-ës arrestoi 22 persona të lidhur me klanet e fuqishme të Capriati dhe Parisi.

Mafia siçiliane, Ndrangheta dhe klaneve bareze nisën bashkëpunimin sipas hetimeve për të investuar në një rrjet bastesh, në Itali dhe jashtë saj. Klanet shfaqën interes për të blerë kompaninë shqiptare të basteve “Top Bast”. Kompania ishte e regjistruar zyrtarisht në emër të Ermal Bajramit.

Sipas prokurorisë së Barit, pronarët e kompanisë janë vëllezërit Genti dhe Igli Tare, respektivisht konsull në Turqi dhe drejtor sportiv i Lacios”. Tare përfshihet në hetim nëpërmjet një emaili, ku u caktua edhe një takim mes palëve në datën 8 Janar 2015.

Genti Tare do të bisedonte me bosin barez Francesco Martiradonna.  Por blerja nuk u krye. Për këtë arsye vëllezërit Tare nuk u hetuan.

Por Tare akuzohet për shkelje në aktivitetin sportiv. Duke qenë drejtues sportiv i një klubi ai nuk mund të jetë titullar i një kompanie bastesh. Me çështjen po merret prokuroria e Federatës italiane të futbollit.

Klan News