Sportisti britanik i kërcimit me shkop Harry Coppell u përfshi në një incident sa të dhimbshëm, aq edhe të sikletshëm, ndërsa po përgatitet për lojërat olimpike Tokio 2020.

Kampioni britanik theu dy dhëmbët e parë pasi shkopi i ra në fytyrë kur ai po stërvitej. Vetë 25-vjeçari postoi fotografinë ku me doza humori tregon që e ka të domosdoshme një vizitë te dentisti dhe shpreson që në kryeqytetin japonez të jetë ndonjë i zoti.

I gjithë incidenti u regjistrua dhe ishte vetë britaniku që e ndau me ndjekësit e tij në profilin personal në Twitter. Kur ra në dyshek, Coppell pa që shkopi po i vinte dhe tentoi që ta kapte, por dështoi.

Ai është kampioni i Britanisë në kërcimin me shkop, dhe titullin e ka fituar në vitet 2019 dhe 2020 e tani në Tokio shpreson për një medalje të artë.

Klan News