Gratë e krishtera dhe jomyslimane në Indonezi, kanë filluar të detyrohen të mbajnë hixhab, ndërsa vajzat e vogla ngacmohen dhe poshtërohen publikisht në shkolla për këtë çështje, thuhet ne raportin e Human Rights Watch.

Shkollat ​​në të gjithë vendin me shumicë myslimane po përdorin “një kombinim të presionit psikologjik, poshtërimit publik dhe sanksioneve për të bindur vajzat të mbajnë hixhabin”.

Një nënë e katër fëmijëve përshkroi se si vajza e saj ishte tallur në shkollë me vargje nga Kurani dhe u kishte thënë prindërve të saj se do të shkonin në ferr nëse ajo nuk e vesh hixhabin.

Indonezia tradicionalisht mbronte pakicat e saj të rëndësishme krishtere, hindu dhe budiste, por konservatorizmi islamik dhe një intolerancë për besimet e tjera është ‘rritur ndjeshëm në vitet e fundit’.

Sipas raportit, mësueset dhe nënpunëset civile janë gjithashtu nën presion që të veshin veshje konservatore dhe disa zyra qeveritare kërkojnë që vizitorët të veshin mbulesa koke për të hyrë dhe “kjo ka çuar në ngacmime të grave në hapësirat publike të cilat zgjedhin të mos veshin hixhab dhe imponimin e presionit për t’u përshtatur,”.

Kjo situatë shtyu ministrinë e Arsimit muajin e kaluar të ndalojë shkollat ​​shtetërore të detyrojnë çdo studente – myslimane apo jomyslimane, të mbajnë shami, duke kërcënuar me tërheqjen e fondeve qeveritare në rast të  mosrespektimit të ligjit.

Ndërsa edhe ministri i çështjeve fetare në vend, Yaqut Cholil Qoumas ka kritikuar praktikën e detyrimit të hixhabit mbi jomyslimanët.

HRW njoftoi se kishte kërkuar një komentim të raportit nga Qeveria e Indonezisë, por nuk ka marrë një përgjigje. Ndërkohë, mbikëqyrësi i të drejtave të njeriut ka paralajmëruar se mbetet vetëm të shihet nëse rregullat e reja të ministrisë së Arsimit do të zbatohen./tvklan.al