Gjirokastra “Covid free”, raste sporadike në 11 qarqe

Spitali infektiv i emërtuar dhe si spitali Covid1 do të vijojë të jetë në funksion të plotë vetëm për të sëmurët me koronavirus. Edhe pse aktualisht në të po trajtohen vetëm 2 të prekur nga Sars Cov 2, ekspertët janë në pritje të Vjeshtës, e cila parashikohet të sjellë dhe shtim të rasteve me Covid.

Aktualisht në të gjithë vendin numërohen 100 të infektuar me koronavirus, që janë izoluar në banese. Vendi ynë konsiderohet me risk të ulet sa i përket infektimit me koronavirus, por rastet edhe pse sporadike janë të shpërndara në çdo cep të Shqipërisë.

Ndryshe nga një javë me parë kur Vlora ishte qarku i konsideruar “Covid free”, pasi nuk kishte asnjë të infektuar, e marta e ka ndryshuar këtë fakt, duke izoluar një të infektuar në Vlorë.

Bazuar në të dhënat zyrtare për koronavirusin shohim se vetëm në qarkun e Gjirokastrës nuk ka aktualisht asnjë të infektuar aktiv me koronavirus ndërsa në 11 qarqet e tjera ka persona Covid pozitiv.

Në krye të listës është Shkodra me 33 të infektuar, për t’u pasuar nga Tirana me 30, Durrësi me 10 të infektuar, nga 7 në Berat e Lezhë, 5 në Elbasan, 3 në Dibër, 2 në Kukës  dhe nga një rast Vlorë, Korçë e Fier.

Tv Klan