Intervista e plotë e ambasadorit zvicerian në “Opinion”



Intervista e plotë e ambasadorit zvicerian në “Opinion”

23:49 12/10/2020

Ambasadori zvicerian në Shqipëri Adrian Maître ishte i ftuar mbrëmjen sotme në emisionin “Opinion”. Prej 2 vitesh që ndodhet në Shqipëri, ambasadori tregoi se i ka pëlqyer shumë kjo periudhë që ka qëndruar këtu.

Maître tregoi në Shqipëri ndodhet një komunitet i vogël zvicerian. Ambasadori tregoi se Zvicra e ka prioritet Ballkanin dhe Shqipërinë se pjesë të saj.

Ai tregoi se ka vizituar pothuajse të gjithë zonat kryesore të vendit. Në fund Maître dha një mesazh për të gjithë shqiptarët.

Intervista e plotë:

Blendi Fevziu: Ambasador Maitre, mirëmbrëma dhe mirë se erdhët në studion e Opinionit!

Ambasadori Adrian Maître: Mirëmbrëma, z. Fevziu. Faleminderit shumë për ftesën dhe mundësinë që po më jepni për të ndarë me ju mendime dhe njohuri. Po ashtu përshëndetje të përzemërta për teleshikuesit tuaj.

Blendi Fevziu: Kënaqësia është e imja. Prej sa kohësh ndodheni në Tiranë me mision?

Ambasadori Adrian Maître: Po tashmë u bën fiks 2 vjet, periudhë shumë interesante. Kam pritur të përballem me reformat që po bën Shqipëria dhe pyes veten se si mund të kontribuojë Zvicra. Tërësisht i papritur ishte tërmeti i vitit të kaluar. Kjo përvojë që ndava me shqiptarët ka lënë shumë gjurmë. Më la një shije të mirë për shqiptarët, gjë që pritej sepse kisha dëgjuar shumë për shqiptarët miqësorë dhe tepër të dhënë në bashkëpunim. Vërtet më emocionon shumë kjo gjë.

Blendi Fevziu: Kjo do të thotë se ju ka pëlqyer kjo periudhë në Shqipëri?

Adrian Maître: Absolutisht.

Blendi Fevziu: Dhe si mund të kontribuojë Zvricra në Shqipëri?

Adrian Maître: Ka prioritet vendimin që ka marrë Shqipëria për të ndërmarrë reforma me rëndësi dhe ka rënë dakord me partnerët ndërkombëtarë për ta bërë atë gjë. Kështu ne e kemi rrugën e lirë të vijmë këtu dhe prezantojmë njohuritë dhe përvojën tonë të veçanta në ndihmë të Shqipërisë, të reformave.

Blendi Fevziu: Cila ka qenë karriera juaj në diplomaci para ardhjes në Shqipëri?

Adrian Maître: Kam qenë shumë i angazhuar ne departamentin e bashkëpunimit me Europën Lindore dhe Azinë Qendrore. Në atë pozicion, Shqipëria ishte brenda radarit tim, pjesë e punës. Po ashtu e kam vizituar Shqipërinë në 2016, por pa e ditur se një ditë do të isha ambasador këtu.

Blendi Fevziu: Cila ka qenë ideja juaj për Shqipërinë para 2016-ës dhe sigurisht para se të vinit si ambasador?

Adrian Maître: Kisha informacion mbi rrugën e veçantë të historisë që kishte marrë Shqipëria dhe po ashtu mbi periudhën e izolimit të vendit. Po ashtu e dija se në një moment të hershëm të periudhës së vështirë të Luftës së Ftohtë, Shqipëria dhe Zvicra kishin rënë dakord në ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike. Të gjitha këto kisha në mendje kur mbërrita.

Blendi Fevziu: Marrëdhëniet diplomatike ne i kemi ndërtuar 50 vite më parë, në 1970. Në fillim, le të themi, dy dekada nuk ndodhi asgjë. Shqipëria ishte e mbyllur, nuk kishte ambasadë zviceriane në Tiranë. Ajo erdhi në 1992, apo jo?

Adrian Maître: Keni shumë të drejtë. Në periudhën e fillimit marrëdhëniet nuk ishin intensive, por të rëndësishme ama sepse politika e huaj zvicerane pati mundësinë të depërtonte universalisht, jo tek sistemet politike, por tek vendet. Dhe guxoi t’i vendoste këto marrëdhënie gjate Luftës së Ftohtë.

Blendi Fevziu: Si kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve pas vitit 92, kur ambasada zviceriane erdhe në Tiranë? Më intensive dhe në cilin drejtim?

Adrian Maître: Ka pasur shkëmbimeve ekonomike, shkëmbim mallrash mes dy vendeve deri në një farë rritje, por më e rëndësishme ishte angazhimi në fushën humanitare, ndihma tek njerëzit dhe gjithashtu në infrastrukturë. Po ashtu u dha ndihma edhe në komunikim.

Blendi Fevziu: Ekziston një komitet shqiptar në Zvicër?

Adrian Maître: Ka pasur komitete edhe më parë, që në Luftën e Parë Botërore. Komunitet i vogël, aktiv dhe tepër i lidhur në Gjeneve.

Blendi Fevziu: Dhe në Shqipëri ekziston një komunitet zviceran?

Adrian Maître: Po, është një komunitet i vogël me një tipar të veçantë, sepse janë tepër të lidhur dhe flasin shqip.

Blendi Fevziu: Pata mundësinë të takoja njërin prej tyre dhe ishte i shkëlqyer në shqip.

Adrian Maître: Po më vjen mirë. Po ashtu ka krijuar lidhje të forta familjare me shqiptarët. Është një komunitet i vogël, por që kryejnë shërbime në fusha të ndryshe si turizmi, kujdesi emergjent dhe përpiqen të shkrijë stilin shqiptar me atë zviceran në fusha të ndryshme.

Blendi Fevziu: Ambasador, rezidenca, zyrat tuaja janë në qendër të Tiranës, afër bllokut. Cila është historia e tyre?

Adrian Maître: Faleminderit për pyetjen. Kur mbërrita në Tiranë, rezidenca ishte duke u rinovuar dhe ky moment u shfrytëzua për të shtuar sigurinë nga tërmetet. Sigurisht që në atë kohë nuk mendohej se do të duhej shumë ajo gjë, si për godinën dhe personat që do të rrinin në të. Mësova ashtu edhe për historinë e godinës që datonte që në kohën e mbretit Zog.

Blendi Fevziu: Ai e ndërtoi i pari ndërtesën.

Adrian Maître: Ishte një arkitekt Italian që e mori urdhrin prej tij për ta ndërtuar. Na vjen shumë mirë që po e ruajnë siç ishte në atë kohë duke respektuar arkitekturën dhe pamjen e godinës le të themi. Kur kërkova të mësoja se kush ishin banorët e saj të parë, u kthyem në Perandorinë Otomane. Ishte tepër emocionuese për mua kur mësova historinë e Shqipërisë që lidhej me atë godinë.

Blendi Fevziu: Historia e Alizotit ishte e shkëlqyer sepse daton që në kohën otomane deri në fund të luftës së Dytë Botërore kur u vra nga komunistët. Po në periudhën komuniste ç’u bë me atë rezidencë?

Adrian Maître: Ishte e z. Adil Çarçani për 30 vjet si ministër dhe më pas si kryeministër. Kështu për mua ishte gjithashtu e rëndësishme të mësoja rreth kësaj periudhe si pjesë e historisë shqiptare. Gjatë periudhës së rinovimit gjetëm edhe një bunker në kopshtin e rezidencës. Nuk ishte bunker aq i madh, por u bë një diskutim i madh për ta hequr dhe aty unë kam ndërhyrë për ruajtjen e tij si pjesë e historisë. Kështu ata kanë rinovuar edhe bunkerin.

Blendi Fevziu: Cilat janë prioritet në marrëdhënien Zvicër-Shqipëri për momentin?

Adrian Maître: Është shumë e rëndësishëm për mua të ndaj me ju dhe teleshikuesit se Zvicra ka një prani të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor. Një tregues është se ne mbështesim me më shumë se 100 milionë franga zviceriane çdo vit rajonin. Ndonjëherë kjo nuk bëhet e ditur dhe lidhet me synimet tona të politikës së jashtë ndaj asaj krahine. Është një rajon shumë i rëndësishëm për Zvicrën. Kemi një diasporë me rëndësi që jeton në Zvicër. Pra, ka shumë lidhje personale, ekonomike, artiste, shkencëtarë etj. Kontribuojmë për paqe, stabilitet dhe prosperitet të rajonit. Pra, ne po ndajmë barrën me Bashkimin Europian. Jemi dakord me Bashkimin  Europian për këto synime me rëndësi në rajon dhe Shqipëria brenda rajonit është një vend me prioritet. Në mbështetje të Shqipërisë ne japim 25 milionë në vit franga zviceriane dhe kjo na rendit të dytët ose të tretët nder partnerët bilateralë.

Blendi Fevziu: Ambasador, keni udhëtuar në Shqipëri gjatë këtyre dy viteve? Udhëtime jozyrtare.

Adrian Maître: Pa përmendur emrin e komunës, por kohët e fundit bëra një vizitë në një komunë në jug dhe falenderoj shumë kryebashkiakun që më ftoi të dilja jashtë Tiranës dhe të shihja një tjetër ambient.

Blendi Fevziu: Në median sociale pamë disa fotografi tuajat. Ja, për shembull.

Adrian Maître: Kjo është një fotografi shumë e bukur, jo në komunën që përmenda, në një tjetër. Historia është e tillë. Unë shkova atje i vendosur për të mësuar mbi përvojën e anëtarëve të një komune, pozicion shumë i dashur për mua. Ata më thanë se po gjejnë mënyra për të marrë reagimet e qytetarëve dhe përgjigjet e tyre ndaj punës së qeverisë, gjë që mua më tërheq jashtë mase si ambasador, sepse kjo është zemra e mirëkuptimit tonë, e demokracisë. Autoritetet janë në kontakt të përhershëm me qytetarët, duke u siguruar se po i kuptojnë nevoja e tyre, të marrin reagimet e tyre dhe të punojnë si një qeveri e përgjegjshme lokale. Ishte një kënaqësi që u takova me ata zotërinj. Fotografia tjetër. Kjo na sjell në festën e 15-vjetorit dhe unë sërish mundohem të gjej substancën e veprimeve tona, jo thjesht të veprojmë, por cili është thelbi, substanca. Ndërsa angazhohesha në këto kërkime, se çka ndodhur gjatë 15 viteve, u ndeshem me ambasadorin e  parë në Shqipëri, z. Hans Killer. Unë e konsideroj atë si mësues, pas asaj që ai ka bërë para 15 viteve.

Blendi Fevziu: Po këtu?

Adrian Maître: Përmenda tërmetin. Vetëm 24 orë pas tij, prita personalisht në aeroport ekspertë zvicerianë të emergjencës dhe një nga ndihmat e tyre ishte sjellja e tendave, jo vetëm që ishin prodhuar në Zvicër, por ishin me standardet që pranojmë ne. Ishte e rëndësishme t’i ndihmonim njerëzit në ato momente kritike. Nuk isha atje kur kjo ishte organizuar, por shkova më pas, sepse ndonjëherë ne i harrojmë njerëzit, sjellim tendat dhe largohemi. Shkova atje kur nuk kishte njeri.

Blendi Fevziu: Këtu mendoj se jeni në Butrint. Të gjithë e njohin vendin, një nga më të bukurat në jug të Shqipërisë.

Adrian Maître: Po ju them se kur isha atje, u impresionova vërtet. Mbeta gojëhapur nga fakti se gjithë këto shtresa të historisë europiane mund t’i gjesh atje, qytetërimin. Ne flasim për integrim të Shqipërisë në Europë, por ajo tashmë është e integruar dhe ka qenë gjithmonë pjesë e historisë europiane. Ishte diçka kyçe dhe jam gëzuar jashtë mase.

Blendi Fevziu: Kjo është pjesë e rëndësishme e historisë për gjithë Mesdheun dhe jo vetëm për Shqipërinë dhe Greqinë le të themi.

Adrian Maître: Duhet ta them gjithashtu edhe mënyrën se si kam shkuar atje. Po kaloja ca ditë të këndshme pushimesh në Sarandë me familjen dhe bëra një ujdi me djemtë. Do të shkonim në plazh nëse ata vinin një ditë me mua në Butrint. Dhe kemi shkuar atje me autobusin e linjës Sarandë-Butrint si qytetarë të zakonshëm dhe isha ulur pranë një shitësi byrekësh. Ai donte të bënte pazar me mua.

Blendi Fevziu: Si shkoi vizita atje?

Adrian Maître: E shkëlqyer. Na mori shumë kohë. Edhe natyra përreth është e bukur. U futëm në muze dhe u munduam të kuptonim sa më shumë. Një gjë të tillë mundohem të bëj gjithmonë edhe me vendet e tjera.

Blendi Fevziu: E keni vizituar pjesën veriore të Shqipërisë?

Adrian Maître: Si ambasador i Zvicrës kam vizituar edhe zonën malore dhe me qëllim kam kaluar në rrugë të vjetra për të kuptuar situatën në fshtatrat e vjetër.

Blendi Fevziu: Këtu jeni me përfaqësuesit fetarë dhe Presidentin e Republikës.

Adrian Maître: Kjo fotografi është bërë brenda rezidencës zviceriane. Kemi nisur një kalendar dedikuar harmonisë fetare, tolerancës në Shqipëri, pjesë shumë e rëndësishme, por e panjohur jashtë Shqipërisë. Unë jam gati ta ndaj këtë informacion me të gjithë kontaktet e mia jashtë. Kur paraqita kredencialet e mia si ambasador i Zvicrës, i thashë presidentit se një nga qëllimet e mia është edhe të kuptoj harmoninë fetare në vend.

Blendi Fevziu: Këtu jeni me Kryeministrin.

Adrian Maître: Ky ka qenë një gjest shumë i bukur i Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare, të njohë solidaritetin ndërkombëtar të vendeve më të vjetra, Bashkimin Evropian, Komisionit Europian gjatë rimarrjes së vendit pas tërmetit. Ishin të gjithë ndërkombëtarët e pranishëm dhe ishte kënaqësi të flisje për mirënjohje, mbështetje dhe solidaritet. Këto janë momente të mbushura me emocione të thella, momente bashkëpunimi mes qenieve njerëzore.

Blendi Fevziu: Ju po flisnit për harmoninë fetare në Shqipëri, pikë shumë e rëndësishme e shoqërisë sonë. Çfarë vlerësoni gjithashtu me vlerë të madhe në këtë shoqëri?

Adrian Maître: Menjëherë në mendje me vjen mikëpritja e njëri-tjetrit, e të huajve.

Blendi Fevziu: Këtë gjë e thotë çdo i huaj. E keni ndjerë vërtetë këtë mikëpritje?

Adrian Maître: E kam ndjerë në shumë raste. Gjatë udhëtimeve të punës, më është dashur të ha diku jashtë dhe kur mendoj të paguaj, pagesa tashmë është kryer. Më thonë jeni i ftuari im sot. Jo vetëm kjo pjesë, por dua të përmend traditat dhe dëshira për t’i nxjerrë në pah ato me krenari në zona të ndryshme. Një aset i fortë dhe i mrekullueshëm është se ju i kushtoni kohë dhe e respektoni vërtet mikun.

Blendi Fevziu: Dhe pyetje e fundit. Ku duhet të përmirësohemi ne në shoqërinë tonë? Për çfarë kemi nevojë?

Adrian Maître: Do të kapesha pas dy pikave. E para, janë reformat e rëndësishme që ka marrë përsipër Shqipëria, Reforma në Drejtësi, ajo elektorale, e administrimit publik, shumë e dashur për ne. Dhe të gjitha reformat e tjera në fushën ekonomike. Mesazhi im për shqiptaret është ky: Nuk mjafton vetëm të jesh dakord mbi një ligj për shembull, apo dokument. Duhet të vihen në zbatim reformat me kontributin e të gjitha palëve dhe fokusi i Zvicrës është vënia në zbatim e atyre reformave. Jemi partnerë të fortë në këtë pikë. Duam të shohim ndryshim pozitiv tek njerëzit, tek sektorët private.Të gjithë këto e çojnë para Shqipërinë. Pra, gjetja e një qëllimi të përbashkët për të mirën e popullit, rënia dakord dhe puna e madhe në atë drejtim. Kjo është dëshira ime e parë për Shipërinë. E dyta, në fushën ekonomike kam parë që njerëzit mundohen të prezantojnë standarde europiane në produktet e tyre. Mësojnë se ashtu është më e lehtë eksporti, çmimi është më i mirë, sigurojnë kushte më të mira punë për punëtorët. Kjo është pika e dytë kyçe që duhet të mbështetet. Reformat, zbatimi, institucione efektive dhe standarde në ekonomi.

Blendi Fevziu: Mendoj se shoqëria zviceriane është me korrektja në botë. Keni probleme me oraret me shqiptarët? Të tjerë të huaj thonë se shqiptaret janë mikpritës, por jo shumë korrektë me kohën.

Adrian Maître: Po ja, kur them se kemi një eveniment me rëndësi, ku jemi dhe nga do t’ia nisim? Më thonë: Nuk ka problem. Do ta bëjmë. Po edhe nëse nuk shoh përgatitje, në fund është bërë gjithçka. Prandaj ne duhet t’i referohemi rezultateve.

Blendi Fevziu: Faleminderit shume për intervistën, ambasador.

Adrian Maître: Ishte kenaqësi./tvklan.al




Të ngjashme