Bashkimi Evropian, por dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës treguan edhe një herë se Kosova është pika e dobët e diplomacisë së tyre në Ballkan.

Pas ndërhyrjes ushtarake të vitit 1999 që shpëtoi Kosovën nga kthetrat e udhëheqjes serbe dhe pas mbështetjes së pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt të këtij viti BE dhe SHBA vendosin t’i japin sërish dorën shtetit më të ri në Ballkan. Këtë herë ndihma është në para.

Qëllimi tashmë është zhvillimi ekonomik, social e politik për t’i dhënë një shtysë drejt standardeve evropiane.

Konferenca e donatorëve tregoi se blloku evropian dhe Amerika e mbajtën fjalën ndaj Kosovës duke i mundësuar një lum parash që do të ndihmojnë të ngrihet në këmbë.

Sipas komisionit evropian nevojat buxhetore për tre vitet e ardhshme janë plot 1.4 miliard euro. Të gjitha këto para do të shpenzohen në 588 projekte të propozuara nga qeveria e Kosovës, në qendër të të cilave do të jenë infrastruktura, arsimi dhe papunësia.

Në fakt infrastruktura është konsideruar si tepër e rëndësishme pasi synohet arritja e komunikimit të Kosovës me pjesën tjetër të rajonit duke shërbyer dhe si joshje e mirë për investitorët e huaj.

Vëmendje do t’i kushtohet projekteve për zbutjen e papunësisë, e cila deri më sot ka kapërcyer nivelet e 40% sipas shifrave zyrtare.

Një pjesë e ndihmave do t’i dedikohet për shlyerjen e borxhit të jashtëm, të cilin Kosova e ka trashëguar që kur ishte pjesë e ish-Federatës Jugosllave.

Pyetja ngrihet nëse serbët do të lihen jashtë këtyre investimeve. Në fakt qeveria e Kosovës ka premtuar se ndarja e tyre nuk do të bëhet mbi baza etnike.

Kjo parashikon që në fokus do të jenë dhe projektet për vendbanimet me shumicë serbe me qëllim integrimin e tyre në shoqërinë kosovare./tvklan.al